“Folëm për 2000 euro, por…”, zbulohen kontratat dhe mesazhet mes vajzave dhe agjencive që i rekrutonin për të punuar si eskorta në Dubai
October 9, 2022Gjatë emisionit “Me Zemër të Hapur” të gazetares Evis Ahmeti në News24 janë publikuar pamje të kontratave dhe bisedave që kanë pasur vajzat shqiptare të cilat kanë aplikuar për punë si stjuardesa apo kamariere në agjencinë që i dërgonte në Arabi për të punuar si eskorta.
Gjatë bisedave vajzat kanë shfaqur pakënaqësi kur u është paraqitur kontrata nga kompania e cila ka qenë ndryshe nga çka u ishte premtuar.
Sakaq, kontratat që u janë dhënë nuk përfshinin detaje të akomodimit apo pagës dhe sipas dëshmisë së vajzave nuk garantonin siguri dhe ishin shumë të përgjithshme.
Gjithashtu vajzave u është kërkuar të paguajnë një tarifë prej 1000 eurosh për të nisur punën, ku agjencia shqiptare siç duket edhe nga pamjet ka ofruar mundësinë e pagesës me këste.
Një nga vajzat që i shpëtoi skemës tregoi si u ngritën pikëpyetjet e para.
Ajo u shpreh se dyshimet u shtuan pasi pyeti këtë agjenci nëse vajzat që aplikonin do të punonin së bashku dhe përgjigjja që mori ishte negative.
E reja shtoi se në këtë moment e kuptoi se ky ishte një mashtrim i agjencisë pasi vajzat nisen si punëtore normale kamariere apo hostess dhe përfundojnë si eskorta.
Sipas saj vajzat u joshën nga paga e lartë që ofrohej e cila përllogaritej në rreth 2000 euro.
“Më janë shtuar dyshimet pasi pyeta agjencinë shqiptare nëse do jemi bashkë kur të nisemi dhe më thanë se do ndahemi, aty e kuptova se ishte mashtrim. Vajzat nisen si punëtore normale dhe përfundojnë si punëtore seksi. Të gjitha vajzat që aplikuan e kanë bërë vetëm për shkak të pagës. ”, u shpreh njëra nga vajzat.
Sipas një vajze tjetër një agjensi shqiptare reklamonte punë si stjuardesë në vendet arabe, por në të vërtetë kryente ndërmjetësimin e kompanive arabe me vajza të reja shqiptare me qëllim rekrutimin e tyre si punëtore seksi.
Ajo deklaroi gjatë lidhjes në studio se puna reklamohej në Instagram dhe kishte një pagë rreth 2000 euro. Sipas saj gjatë rekrutimit vajzat kryenin një test inteligjence dhe më pas merreshin në pyetje gojarisht. Sakaq, ajo u shpreh se agjencia shqiptare i kërkoi shifrën prej 1000 eurosh për të vazhduar me procesin pa i treguar kontratën, e cila rezultoi se nuk tregonte asnjë detaj sipas vajzës.
“Ishte rastësi, e pashë në Instagram që kërkonin stjuardesa. Dërgova një CV dhe më thirrën në Tiranë. Kriteret ishin mosha mbi 20 vjeç, të dije mirë anglisht, etj. Kishte kritere fizike, gjatësia ishte prioritet, të dije notin, etj. Paga ishte mbi 2000 euro dhe më pëlqeu. Ishim rreth 40 vajza që aplikuam për punën. Ishte një person arab rreth moshës 30 vjeç që ishte menaxher dhe një vajzë shqiptare. Së bashku komunikonim vetëm anglisht. Na paraqitën disa teste, një test inteligjence dhe pastaj na morën në pyetje gojarisht.
Në fund u përzgjodhën vetëm 14 vajza për të punuar. Më pas më kontaktuan mua dhe një shoqe pasi kishim aplikuar bashkë për të firmosur kontratën e punës. Nuk më treguan asnjë kusht dhe asnjë kontratë dhe thjesht më kërkuan 1000 euro për të marrë kontratën në agjencinë shqiptare. Më tha se nëse do të lësh punën vitin e parë duhet të paguash 5000 euro dëmshpërblim, ndërsa vitin e dytë 4000 euro. Më vonë kërkova kontratën dhe kur e pashë kishte vetëm 1 faqe dhe 10 fjali. Çdo gjë ishte e përgjithshme dhe nuk shfaqeshin detaje për punën. Kur kryem intervistën me arabët na thanë gjëra të tjera komplet nga agjencia shqiptare”, u shpreh njëra nga vajzat