Çmimet në Panairin e Librit 2022/ Autori më i mirë shpallet Zija Çela me romanin “Banka e Ankesave”
November 19, 2022Panairi i Librit 2022 shpërndan çmimet letrare për autorët dhe përkthyesit. Shkrimtarja Natasha Poroçani u vlerësua për veprën e saj në letërsinë për fëmijë, me librin “Kalendari i ëndrrave të mollës”.
Përkthyesja Klarita Lagji mori çmimin për përkthimin më të mirë nga frëngjishtja të veprës “Vendi i Babait”, nga shkrimtarja nobeliste Annie Ernaux.
Autori fitues për veprën më të mirë studimore u shpall Arben Imami për veprën e tij “3 format e mendimit, Mitologjia, Racionaliteti, Religjioni”.
Ndërsa çmimin për përkthimin më të mirë të vitit e mori Romeo Çollaku për përkthimin e veprës “Varfanjaku i Zotit” nga autori Nikos Kazanxaqis.
I pranishëm gjatë ndarjes së çmimeve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka dorëzuar çmimin si autori më i mirë shqiptar shkrimtarit Zija Çela për veprën e tij “Banka e Ankesave” me motivacionin “Për rrezatimin e një urtie dhe përvoje të pasur letrare në identifikimin e bjerrjes së shpirtit njerëzor, si dhe tjetërsimit të fytyrës së vdekjes e të dashurisë në labirintet e një bote që shkon e përfton trajta distopike”.
Libri ndërtohet me logjikën e arkitekturës danteske të Ferrit: shkatërrimi infernal i qenies njerëzore nga mekanizmat shtetërore burokratike e kontrolluese, me gjithë pasojat e një procesi të tillë – mozohizimi i viktimave dhe, si kundërgoditje, degradimi i vetë aparatit diabolik që survejon.
“Jemi shumë afër gjenetikisht me një ndër veprat më të njohura të Franc Kafkës, me “Koloninë Penale”. Ndërsa në letërsinë tonë, i afërmi më gjenetik i romanit të Çelës do të qe “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”, njëri ndër dy librat më të famshëm të Kadaresë”, është shprehur më herët kolegu i tij Rudolf Marku.
“Romani fillon me një glob, teksa drejtor Zamarini, në ritualin e përditshëm të shtrirjes së krahëve, përfytyron se ka vetë rruzullin e Botës në duart e tij. Pastaj sërish përfundon me një glob tjetër, por këtë radhë me rruazën e pikës së lotit, me sekretin hyjnor të vuajtjes së qenies njerëzore, me globin e vërtetë jo vetëm të planetit Tokë, por të vetë Universit tonë”, ka thënë Rudolf Marku.
revista.one/