“Zoti i Luftës” në Tiranë, biznesmeni dhe doktori shisnin armë
April 12, 2021Sokol Xhura është biznesmeni i kërkuar nga Policia e Shtetit. Ai rezulton si drejtuesi i grupit që kryente trafikimin dhe shitjen e armëve.
Përveç kësaj, Sokol Xhura del në dëshminë e bashkëpunëtorit të prokurorisë, Enver Jamaku. Sipas dëshmisë, ai është njeriu që, ndër të tjera, ka urdhëruar një atentat. Ai porositi vendosjen e tritolit në makinën e një avokati në Tiranë.
Kjo është foto e Sokol Xhurës i cili prej datës 4 mars 2021 është larguar në drejtim të ShBA. Që nga ajo ditë nuk është kapur ende.
Xhura, rezulton të jetë pronari i “kompleksit Xhura” në Porcelan. Në këtë lokal u gjendën të murosura armët. Aty ishin dhjetëra armë luftarake të kalibrave të ndryshëm dhe municione.
Xhura kishte krijuar një magazinë, e ngjashme si në skenat e filmit hollivudian “Lord of War”. Ai kishte fshehur në mënyrë të përkryer një arsenal të tërë armatimi.
Për Prokurorinë e Posaçme SPAK, Sokol Xhura konsiderohet si personi që drejtonte grupin. Ai zotëronte pjesën më të madhe të armatimit të sekuestruar.
Bashkëpuntori i prokurorisë Enver Jamaku, ka përmendur edhe emrin e një mjeku kardiokirurg të spitalit Hygea, si të implikuar në tregtinë e armëve.
Edhe pse i penduari i kësaj çështje ka përmendur kardiokirurgun Dervish Hasi dhe djalin e tij, ata nuk janë kapur. I penduari ka treguar se u ka dorëzuar armë e municione disa herë, por mjeku dhe i biri i kanë shpëtuar arrestimit.
Në drejtim të mjekut është regjistruar dhe një atentat. Ngjarja ndodhi më 23 janar 2019, rreth orës 20:40, në rrugën “Belul Hatibi”, pranë xhamisë “Xhura”, në afërsi të “Oxhakut” në Tiranë. Vetura e mjekut Dervish Hasi u shkatërrua me eksploziv.