KE: Ata që kanë marrë vaksinën kineze ose ruse, nuk lejohen në Shengen
May 3, 2021Ata që kanë marrë vaksinën kineze ose ruse nuk mund të lëvizin në vendet e BE-së. Komisioni Evropian u propozoi vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që t’i lehtësojnë lëvizjen. Kufizimet aktuale përfshijnë udhëtimet jothelbësore për qytetarët e të ashtuquajturave vende të treta. Kët hyn edhe Shqipëria.
Rekomandimi vlen për qytetarët e vaksinuar kundër koronavirusit. Por duhet që vaksina të jetë miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).
EMA, deri më tani, ka miratuar vaksinat e kompanive Pfizer/BioNTech, Moderna, Johnson & Johnson dhe AstraZeneca.
Sipas propozimit të KE-së, të gjithë personat e të ashtuquajturave vende të treta, që janë të vaksinuar me njërën prej këtyre vaksinave, mund të udhëtojnë në BE.
Sa i përket vaksinës ruse Sputnik V, ajo është ende në procesin e analizimit nga EMA.
Zyrtarë të KE-së thanë se derisa të miratohet zyrtarisht përdorimi i kësaj vaksine, njerëzit e vaksinuar me të nuk do të lejohen të kalojnë. Pra, nuk bëjnë pjesë në grupin e qytetarëve që mund të udhëtojnë lirshëm në vendet evropiane.
“Komisioni Evropian propozon t’u lejojë hyrjen në BE, për udhëtime jothelbësore, jo vetëm personave që vijnë nga vende me situatë të mirë epidemiologjike. Por edhe personave që kanë marrë dozën e fundit të rekomanduar të vaksinës, të miratuar nga BE-ja”, thuhet në komunikatën e KE-së.
BE-ja ka vendosur kufizime për të gjitha udhëtimet jothelbësore në mars të vitit të kaluar. Ishte koha kur ka shpërthyer pandemia e koronavirusit.
Për të kufizuar rrezikun e importimit të varianteve të reja të koronavirusit, Komisioni Evropian propozoi “frenë urgjente”,. Kjo do të mundësonte vendosjen e kufizimeve të shpejta të udhëtimit. Bëhet fjalë për vendet ku situata shëndetësore përkeqësohet ndjeshëm.
Vendet anëtare të BE-së do të fillojnë të diskutojnë propozimin të martën. Marrëveshja e tyre është e nevojshme për ta vënë atë në fuqi.