Ekzekutoi të dashurën dhe u vetëvra/ Altin Allmuça, i arrestuar 10 vite më parë për përndjekjen e ish-bashkëshortes

Ekzekutoi të dashurën dhe u vetëvra/ Altin Allmuça, i arrestuar 10 vite më parë për përndjekjen e ish-bashkëshortes

August 23, 2026 0

Altin Allmuça është shqiptari që vrau të dashurën e tij, 45-vjeçaren Lulieta Obzova, dhe më pas kreu vetëvrasje mëngjesin e sotëm në Athinë.

Allmuça ishte një emër i njohur për policinë shqiptare.

Në vitin 2016, kur ishte 35 vjeç dhe banonte në Tiranë, Allmuça u arrestua pasi dyshohej se përndiqte ish-bashkëshorten e tij, duke i shkaktuar ankth dhe frikë.

Për këtë rast ndaj tij u referua vepra penale e “Përndjekjes”, e parashikuar nga neni 121/a i Kodit Penal.

Dhjetë vite më vonë, Allmuça është rikthyer në qendër të vëmendjes për një ngjarje shumë më të rëndë. Mëngjesin e sotëm, në Nea Smyrni të Athinës, ai dyshohet se pas një konflikti jashtë hyrjes së një pallati ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar disa herë mbi 45-vjeçaren Lulieta Obzova, duke e lënë të vdekur në vend.

Pak çaste më vonë, me të njëjtën armë, Allmuça dyshohet se ka qëlluar veten në kokë. Arma u gjet pranë trupit të tij.

Sipas burimeve, çifti nuk ishte i martuar, ndërsa marrëdhënia mes tyre shoqërohej me konflikte. Dyshohet se shkak i krimit mund të ketë qenë xhelozia.

Në pallatin ku ndodhi ngjarja kishte kamera sigurie, të cilat kanë filmuar momentet e krimit. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe marrëdhënies mes dy viktimave.

Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, Allmuça ishte i martuar dhe baba i një fëmije. Gruaja e tij mësohet t’u ketë thënë autoriteteve se nuk kishte dijeni për marrëdhënien e bashkëshortit me viktimën.

Policia po shqyrton provat që tregojnë se mes 50-vjeçarit dhe 45-vjeçares mund të ketë pasur një marrëdhënie personale, ndërsa natyra, kohëzgjatja dhe dinamika e saj nuk janë përcaktuar ende.

Në kuadër të hetimeve, policia ka kontrolluar banesën e Allmuçës në Tavros, në kërkim të provave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e marrëdhënies mes tyre dhe përgatitjen e krimit.

Në fokus janë pajisjet elektronike, dokumentet dhe sende të tjera që mund të ndihmojnë në rindërtimin e lëvizjeve të tij para ngjarjes.

Gjithashtu, po analizohen telefonat celularë dhe aktiviteti online i dy personave, për të përcaktuar nëse ka pasur komunikime, takime apo konflikte para vrasjes.

revista.one/