A e prish agjërimin gjatë Ramazanit vaksina antiCOVID-19?
April 15, 2021Kësaj pyetje i jep përgjigje Imami i Xhamisë së Tavnikut në Mitrovicë, Hoxhë Ekrem Avdiu. Në një intervistë për Telegrafin e Kosovës, ai ka thënë se qytetarët që marrin vaksinat antiCOVID-19 gjatë Ramazanit, nuk e prishin agjërimin e tyre.
Sipas tij, feja islame ka dhënë përgjigje për çdo gjë që injektohet në trupin e njeriut.
Ai tha se injeksionet që nuk janë ushqyese dhe të cilat nuk jepen drejtpërdrejt në vena, nuk e prishin agjërimin.
“Nuk ka kurrfarë problemi puna e vaksinës. Islami ka dhënë përgjigje për çdo gjë që injektohet në trupin e njeriut a e prish apo jo agjërimin. Gjatë gjithë kohës i kemi trajtuar injeksionet dhe vaksina është e njëjta gjë. Injeksionet që nuk janë ushqyese dhe që nuk jepen drejtpërdrejt në vena nuk e prishin agjërimin, kësisoj dhe vaksina e ka përgjigjen e gatshme. Ata besimtarë të cilët e marrin vaksinën gjatë agjërimit nuk e prishin agjërimin e tyre. Ata le të kujdesen për shëndetin e tyre në forma të ndryshme”, sqaroi hoxhë Avdiu. /revista.one/