Aksidenti në Bullgari, flet çifti i mbijetuar: Dëgjuam njerëzit duke bërtitur, kishte shumë fëmijë! Pati një shpërthim si bombë
November 24, 202145 shqiptarë të Maqedonisë së Veriut humbën jetën në aksidentin tragjik në Bullgari, teksa të mbijetuarit japin dëshmi tronditëse të asaj se çfarë ndodhi. Lulëzimi nga Presheva dhe e fejuara e tij, Medina nga Sopoti i Kumanovës, ishin mes 7 fatlumëve që mundën të dilnin gjallë nga ‘ferri’ në të cilin u shndërrua autobusi me të cilin ata udhëtonin.
Nga shtrati i spitalit ku po merr mjekim për plagët e shkaktuara gjatë tentativës për t’u larguar nga autobusi, Medina tregon në një intervistë për ‘Alsat‘ se situata kishte qenë e tmerrshme. Ajo thotë se kishte qenë në gjumë, por e kishin zgjuar britmat e njerëzve dhe thirrjet e të fejuarit të saj. Mundi të shpëtojë pasi Lulëzimi theu xhamin e dritares.
“Isha në gjumë dhe vetëm kur i kam dëgjuar njerëzit duke bërtitur. I fejuari theu xhamin dhe më thirrte në emër. Nuk e di si kam dalë. Doli tym i zi, pati një shpërthim si bombë. Dëgjoja thirrjet e fëmijëve, ka patur shumë fëmijë”, thotë ajo.
Lulëzimi tregon se ishte ndër të vetmit pasagjerë që kishte qenë zgjuar në atë moment dhe se ka parë çdo gjë me sytë e tij. I traumatizuar ai thotë se e kishte parë autobusin tek shkonte drejt bankinave, por nuk kishte mundur të nxirrte zë. Lulëzimi tregon se mori çekiçin dhe theu xhamin e më pas ndihmoi të fejuarën dhe pasagjerë të tjerë që të dilnin jashtë, teksa tymi dhe zjarri ‘përpinin’ autobusin.
“I vetmi person që kam qenë zgjuar. Nuk kam fjetur dhe krejt rastin e kam parë me sy. Unë isha në këtë pjesën e majtë të autobusit edhe e kam parë kur shkonte në anën e djathtë autobusi drejt bankina, por nuk munda të lëshoj zë. Goditi bankinën dhe u bë një zhurmë e madhe. Të fejuarën e kapa. Filloi panik i madh. Autobusi u ndal. U bë krejt tym aty unë për fat të mirë e kam marrë at çekiçin e kam thyer xhamin. Kanë zbritur disa persona pastaj edhe e fejuara ime. E kapa dhe e dërgova më larg 20 metra pasi u frikësova nga një shpërthim i mundshëm”, tregon ai.
Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 02:00 në autostradën Struma, 40 kilometra në jug të Sofjes. Autobusi u përplas fillimisht me bankinat në anë të rrugës e më pas shpërtheu në flakë.
Shkaqet e aksidentit të rëndë nuk dihen ende, ndërsa sipas ekspertëve arsyet mund të jenë tre: monsfunksionim teknik, një problem shëndetësor që mund të ketë pësuar shoferi që ishte në timon ose përgjumja e tij.
Për shkak të ngjarjes së rëndë, Kosova shpalli 24 nëntorin ditë zie, ndërsa Maqedonia e Veriut, ka shpallur tre ditë zie në nder të 45 viktimave që humbën jetën në aksidentin tragjik. revista.one/