“Alketa Vejsiu në kopertinën e Forbes”, një mashtrim? Flet eksperti IT

“Alketa Vejsiu në kopertinën e Forbes”, një mashtrim? Flet eksperti IT

December 1, 2023 0

Lajmi i daljes së moderatores Alketa Vejsiu “në kopertinën e FORBES England” është pasqyruar nga të gjitha mediat shqiptare dhe nga ajo vetë gjithashtu.

Normalisht do të ishte një lajm i mirë dhe gëzues kur një shqiptar arrin të jetë në faqen e parë të një reviste prestigjioze. Por duket se faqja është një mashtrim (Scam).

Eksperti i teknologjisë Besmir Semanaj shpjegon:

“Shpresojmë që Alketa nuk ka paguar shumë para për publikimin e një lajmi të tillë. Pse faqja është një mashtrim: Faqja është regjistruar më 14.05.2023 (pra duket se kemi të bëjmë me një faqe disa mujore). Adresa e regjistrimit dhe kontaktet janë në Indi (+91.8368645871, iabhinavpundir@gmail.com) dhe jo në emrin e kompanisë Forbes.

Website ka një trafik shumë të vogël dhe nuk ka pothuajse fare vizitor. Faqja në fjalë nuk ka rrjete sociale, ndërsa dihet që Forbes i ka të verifikuara të gjitha rrjetet sociale.

Arsyeja e këtij shkrimi nuk është Znj. Alketa në vetvete, sepse kam respekt për të si personazh dhe femër të suksesshme, por është për të gjithë artistat, biznesmenët, politikanët dhe qytetarët në mënyrë që të kenë kujdes me mashtrimet online” – thotë eksperti.

Ishte gazetarja Rezearta Çaushaj e cila ka kontaktuar me Forbes. Emailin ia ka vënë në dispozicion gazetës ZËRI, ku thuhet se Forbes nuk ka asnjë lidhje me të quajturën “Forbes UK”.

Nga artikulli i publikuar duket se lajmi për Alketën titullohej: Kurora e tre-fishtë: Mbretëreshë e TV, Medias Digjitale dhe Biznesit). Nuk dimë nëse moderatorja ka rënë pre e ndonjë skeme mashtrimi, por partneriteti i shpallur me FORBES, është lajm i rremë.

Ndërkohë që artikulli nuk përmbante emrin e gazetarit, po ‘Forbes Staff’. ndërsa në fund të shkrimit, kishte një sqarim mbi ‘Forbes Staff’, ku tekstualisht shkruhej:

‘Stafi i Forbes është një anëtar i nderuar i ekipit prestigjioz të Forbes Angli, i përkushtuar për të ofruar përmbajtje të jashtëzakonshme dhe gazetari të thellë. Me një njohuri të gjerë të peizazhit të biznesit lokal dhe një angazhim të palëkundur për të zbuluar histori magjepsëse, Stafi i Forbes shfaq ekspertizën e tyre në fushën e raportimit të biznesit. Si një kontribues i respektuar dhe i dashur për Forbes Angli, ata u ofrojnë lexuesve perspektiva të paçmueshme mbi ekosistemin e gjallë dhe dinamik të biznesit të Anglisë’.

revista.one/