“Arrogante pas famës”, Antoneta zbulon takimet e pakëndshme me Kiara Titon
June 18, 2023Ish-konkurrentja e Big Brother Vip 2, Antoneta Koçi është treguar e pakursyer me dyshen më të përfolur të këtij sezoni, Kiara-Luiz.
E ftuar në “S’e Luan Topi”, Antoneta tha se Kiara është bërë arrogante pas famës dhe nuk i konsideron më mjaftueshëm njerëzit rrotull, sa t’iu thotë një përshëndetje.
“E kam takuar Luizin në ambientet e Top Channel. Madje një batutë e tij së fundi ishte “ngeli në Top kjo”, por nuk është se edhe ai ka ngelur më pak në Top. S’ka nonjë gjë të keqe të jesh në Top, por ndoshta e ka patur në sensin që mbeti studiove televizive ose diçka e tillë.
Me Kiarën kam rastisur më shumë gjatë emisioneve që vazhdonin deri në finale dhe pas finales dhe kam vënë re këtë tendencën e saj të të ecurit drejtë dhe të mos parit asnjë person që është anash. E kam në kuptimin që nuk ka folur, nuk ka qenë shumë përshëndetëse dhe nuk ka pasur atë sjelljen që ka pasur në Big të paktën. Mund t’i ketë ndikuar pak edhe elementi i vëmendjes, i famës që ka marrë dhe mendoj se nuk i sheh të gjithë mjaftueshëm për t’i përshëndetur”- tha Antoneta.
Komentit të Erjonës se në varësi të sjelljes të përgjigjen edhe të tjerët, Antoneta u përgjigj se ato zarfat e zinj që merrnin në Big për sjellje të keqe, i mbanin në qendër të vëmendjes.
“S’po dimë më se si të sillemi tani”,tha Antoneta.
Ndërkohë, një zarf i zi ka ardhur për Antoneta Koçin në “S’e Luan Topi”, por ku ka gabuar ajo?
Megjithëse zgjodhi të lunate bllofin deri në momentin e fundit, duke mos treguar gabimet, moderatorja Erjona Rusi “zbuti” tensionet kur e ktheu zarfin e zi në të kuq, për të zbuluar një surprizë të papritur për Antonetën.
Një letër nga e ëma që do të emociononte së tepërmi ish-konkurenten e BBV.
Pjesë nga biseda:
Antoneta: Nuk e di, në përgjithësi unë bëj shumë gabime, por s’besoja që më kishin kapur.
Erjona: Mbase është momenti të rrëfesh nonjë gjë…
Antoneta: Jo, jo… Unë do luaj bllofin siç bëjnë të gjithë gënjeshtarët më të mëdhenj, deri në momentin e fundit.
Erjona: Si thoni, t’ja hapim këtë zarfin? Po ne nuk jemi aq të këqinj, jemi të mirë. Dhe në fakt do ta ndryshojmë pak ngjyrën e zarfit sepse ne i trajtojmë mirë miqtë Antoneta.
Antoneta: Aaa, erdhi i kuq.
Erjona: U trembe, u trembe vërtetë? Për një moment edhe mbase u tremb, por në fakt është një zarf i kuq dhe është një letër. Kush mendon se ta ka dërguar?
Antoneta: Jo, nuk e di në fakt. Unë nuk jam shumë person i letrave dhe njerëzit që kam rreth e rrotull gjithashtu nuk janë persona të letrave… Kështu që nuk di.
Erjona: Janë fjalë zemre.
Më tej, Antoneta Koçi zbulon të pathënat e “Big Brother VIP”.
ish konkurentja e BBV dhe Përputhen ka treguar se ajo që e nevrikosi gjatë qëndrimit në Shtëpinë më të famshme, ishte mënyra se si është luajtur dhe deri diku abuzuar nga lojtarët mes “lojës” dhe “të vërtetës”.
Sipas Koçit, këtë sezon “është xhongluar aq shumë me këto dy terma saqë nonjëherë është shitur loja për të vërtetë dhe anasjelltas.”
“Shumë njerëz, përpos faktit që më panë edhe më të nervozuar dhe larg buzëqeshjeve në një pjesë të madhe të kohës, dhe me momente dobësie, e kuptuan që unë nuk isha thjesht ai personazhi i ëmbël në ekran, isha një personazh që e kundërshtoja aty ku e shikoja të arsyeshme dhe që nuk frikësohesha nga asnjë gjë. Përpos kësaj, shumë anë të karakterit tim kam përshtypjen se u shpalosën aty.
Ajo që më nevrikosi… Të paktën në këtë Big Brother është luajtur në dy forma, lojë dhe e vërtetë. Është xhongluar aq shumë me këto dy terma saqë nonjëherë është shitur loja për të vërtetë dhe anasjelltas.
Dhe kjo ka krijuar konfuzion te njerëzit. Kur ti e sheh diçka nga afër dhe e kupton se ajo çka po perceptohet në fakt nuk është ajo e vërteta, atëherë ti fillon dhe ndjen një lloj dëshire për të bërë njerëzit që të kuptojnë se “nuk është ajo që ju po mendoni…”. Mua në Big Brother më penalizoi fakti që jo gjithmonë luftoj për gjëra që mendoj se ndoshta nuk kanë aq shumë vlerë.
I ula gjakrat në një moment të caktuar dhe ndoshta kjo më penalizoi më shumë sesa të qenurit e vërtetë. E vërteta të lodh, të krijon sfida por asnjëherë nuk të dobëson si lojtare”- tha Antoneta.