As test, as karantinë, dy shtete të BE hoqën sot kufizimet e lëvizjes për shtetasit shqiptarë
June 23, 2021Duke nisur nga dita e nesërme, qytetarët shqiptarë mund të lëvizin lirshëm drejt Holandës. Lajmi është bërë me dije nga Ambasada shqiptare në Holandë, e cila ka njoftuar se vendimi është marrë bazuar mbi nivelin e ulët të infektimeve me Covid-19 në Shqipëri.
Sipas njoftimit të ambasadës, të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë drejt Holandës nuk kanë detyrimin të paraqesin testin PCR, si dhe është hequr karantina për ata shtetas që udhëtojnë nga Shqipëria drejt Holandës.
Gjithashtu ditën e sotme Austria hoqi kufizimet e lëvizjes për shtetasit shqiptarë.
Në një njoftim në faqen zyrtare, TIA ( Tirana International Airport) bën me dije se ky shtet nuk kërkon asnjë kriter, përveç mbajtjes së maskës mbrojtëse.
Ndërsa rastet e aplikueshme për vizat do të vazhdojnë si më parë.
Njoftimi i TIA-s:
Lajm i mirë/Austria
Austria heq të gjitha kufizimet për pasagjerët me pasaporta biometrike që udhëtojnë në Austri, duke filluar nga data 24 Qershor 2021.
1) Asnjë kriter testi
2) Asnjë kriter vaksine
3) Vizat për rastet e aplikueshme vazhdojnë si më parë
I vetmi kriter, ju lutemi qytetarëve që udhëtojnë në Austri, është maska FFP2, si kjo ne foto. Kompania Austrian Airlines që operon në Austri, e ka të detyrueshme vetëm këtë tip maske, që e gjeni në farmaci.
Ata pasagjerë që janë tranzit në Austri, ju lutemi të kontrollojnë rregullat e udhëtimit Covid-19, që ka destinacioni final i mbërritjes.
Postimi i plotë i Ambasdës shqiptare në Holandë:
Ambasada e RSH në Hagë njofton se regjimi i lëvizjeve për shtetasit shqiptarë drejt Holandës do të ndryshojë, duke filluar që prej ditës së nesërme, 24 qershor 2021.
Bazuar në vlerësimin e qeverisë holandeze mbi nivelin e ulët të infektimeve të Shqipërisë, Holanda vendos të lejojë përsëri lëvizjen e lirë të të gjitha kategorive të shtetasve shqiptarë drejt territorit të saj që prej datës 24 qershor e në vijim.
Që prej ditës së nesërme, do të lejohet lëvizja e lirë për të gjithë shtetasit shqiptarë, jo vetëm për rezidentët shqiptarë në BE, apo për arsye specifike. Shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë lirisht drejt Holandës edhe për qëllime turistike;
Të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë drejt Holandës nuk kanë detyrimin të paraqesin testin PCR apo antigjen në destinacion. Gjithashtu nuk është e detyrueshme karantina për udhëtarët të cilët udhëtojnë nga RSH në Holandë, pasi konsiderohet vend me rrezikshmëri të ulët infektimesh.
Udhëzojmë në ҁdo rast udhëtarët që të kontaktojnë gjithnjë me kompanitë ajrorë që operojnë fluturimet e tyre, pasi këto kompani, në cilësinë e subjekteve private, mund të kërkojnë plotësimin e formularëve të veҁantë apo kritere shtesë për pasagjerët në momentin e udhëtimit.