Atentati në Athinë ku mbeti e plagosur 10-vjeçarja shqiptare, urdhri u dha nga i burgosuri ‘i famshëm’

Atentati në Athinë ku mbeti e plagosur 10-vjeçarja shqiptare, urdhri u dha nga i burgosuri ‘i famshëm’

September 26, 2026 0

Një vajzë 10-vjeçare me origjinë shqiptare u plagos gjatë një sulmi me armë ndaj lokalit të babait të saj në lagjen Agios Panteleimonas të Athinës. E mitura ndodhej brenda kafenesë në momentin kur persona që lëviznin me një makinë hapën zjarr drejt fasadës.

E mitura është vajza e pronarit të lokalit, Denis Luli, 30-vjeç.

Sipas të dhënave paraprake të raportuara nga mediat greke, në automjet ndodheshin katër persona, të cilët qëlluan pa zbritur prej tij dhe më pas u larguan. Në lokal ndodheshin edhe rreth dhjetë klientë.

Nga hetimet e para dyshohet se urdhri për atentatin është dhënë nga burgu, prej Klodian Lekocaj, një emër shumë i njohur për policinë greke.

Ende nuk dihet se kush ishte shënjestra dhe cilat ishin arsyet e konfliktit.

Por kush është Klodian Lekocaj?

Klod Cara, alias Klodian Lekocaj, 49 vjeç, një personazh kontrovers, është kthyer në qendër të vëmendjes vitet e fundit për shkak të etiketimit nga mediat greke si kreu i së ashtuquajturës “Mafia e Burgjeve”. Se sa realisht ai është i tillë, kjo nuk dihet, pasi vetë ai, në daljet publike në media, e konsideron veten “të varfër”, “të pafajshëm” dhe “të përdorur”. Ndërkohë, faktet, dëshmitë dhe përgjimet që disponon policia greke, sipas raportimeve, të çojnë drejt dyshimit se Lekocaj ka pasur dhe ka ende një rol të rëndësishëm në botën e nëndheshme të grupeve kriminale shqiptare dhe greke.

Lekocaj, në disa përgjime dhe dëshmi, është përmendur për lidhje me grupe kriminale, duke vënë në dispozicion të tyre ose të vetes persona të dyshuar si vrasës me pagesë. I tillë ishte edhe rasti i 14 shtatorit 2022, kur policia greke arrestoi rastësisht dy shqiptarët Viktor Çala, 39 vjeç, dhe Andi Beqiri, 23 vjeç. Ata u kapën në Athinë, pasi në automjetin e tyre u gjetën të fshehura dy kallashnikovë dhe një thikë, ndërsa në banesë u gjet një pistoletë.

Hetimi i policisë zbuloi se Çala ishte autor i vrasjes së një greku dhe i tentativës për vrasjen e një shqiptari, të dyja ngjarje të ndodhura në muajin korrik 2022.

Për vrasjen e grekut, ai deklaroi se ishte urdhëruar nga Klodian Lekocaj, për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Kështu, “Klodit”, i cili në kartelat greke njihet edhe si “Luli” apo “Ilia”, iu shtua atëherë edhe një akuzë tjetër, pas akuzave të mëparshme për urdhërimin e vrasjeve të avokatit grek Mixalis Zafiropoulos, të të burgosurit Arbër Bako dhe të të burgosurit Bardhyl Tusha, përfshirje në tentativën e vrasjes së një pakistanezi, gjobëvënie ndaj ish-ministrit grek Dimitri Tsovola, ndihmë në arratisjen e të burgosurve Leonard dhe Elvis Pepa etj.

Lekocaj, në fakt, përveç urdhrave, ka precedentë edhe si autor i drejtpërdrejtë. Fillimisht është arrestuar në vitin 1997 për vjedhje. Në vitin 2003 ishte arratisur nga burgu i Volosit, ndërsa në vitin 2005, në Agios Panteleimonas, plagosi me armë zjarri në bark një shqiptar. Më pas, në të njëjtin vend, në vitin 2006, bashkë me dy shqiptarë, plagosi me thikë një bashkëkombas të tij.

Deklarata e Klodian Lekocajt

Në vitin 2013 u arrestua për trafik droge dhe vjedhje dhe u dërgua në burgun e Korfuzit, ku, pasi mori leje, u arratis në vitin 2014. Pas disa ditësh, bashkë me Arbër Bakon, mori pjesë në tentativën e grabitjes, me pasojë plagosjen e një egjiptiani. Ndërsa më 31 tetor 2014, bashkë me Arbër Bakon, Olti Dulçen dhe një shtetas polak, kreu një vrasje në zonën e Metaksurgios, sipas akuzave të ngritura ndaj tij.

Përfundimisht, Lekocaj u arrestua në nëntor 2014 në Sepolia, në shoqërinë e Dhimo Mecit, një gjirokastriti të përfshirë në disa vrasje me pagesë në Greqi dhe që, në momentin e kapjes, ishte person në kërkim. Arrestimi i tyre erdhi pas ngjarjes së Mikrolimanos, ku Arbër Bako, me një kallashnikov, plagosi disa klientë të një lokali në zonë.

Klodian Lekocaj dhe lidhjet e dyshuara kriminale
Klodian Lekocaj është përmendur se ka pasur lidhje edhe me shqiptarët Elvis Bogdani dhe Ari Papa, të ekzekutuar më parë në Greqi.

Në vitin 2019, Lekocaj u akuzua se rekrutoi një vrasës me pagesë nga Shqipëria për të ekzekutuar një pakistanez, ndërsa në mars 2023 ndaj Lekocajt u ngrit akuzë për gjobëvënie në shumën 100 mijë euro ndaj një biznesmeni grek.

Në prill 2025, Lekocaj u akuzua për porositjen e atentatit ndaj shqiptarëve Kristjanis Stefa dhe Florian Bajraktari, ngjarje e ndodhur më 23 shtator 2024.

Në maj 2025, Lekocaj mori peng dy gardianë të burgut të Korydhalosit përmes një thike, duke u marrë çelësat, radiot dhe telefonat celularë. Ai filloi të lëvizte drejt një sektori tjetër të burgut, bashkë me shtatë egjiptianë, me qëllim futjen në repartin 3, ku dyshohet se do të tentonte vrasjen e një shqiptari. Ndërhyrja e forcave të tjera ndihmoi në neutralizimin e të burgosurve.

Disa ditë më pas, policia ushtroi kontroll në qelinë e Lekocajt dhe të disa të dënuarve të tjerë, duke gjetur sende të paligjshme, si celularë, thika dhe kokainë.

Disa muaj më parë ai mori përsipër porositjen e vrasjes së 46-vjeçarit Dhimo Meçi, brenda burgut të Malandrinos, ku ky i fundit mbeti i plagosur rëndë.

revista.one/