Babai i Klodian Rashës revoltohet me Gjykatën, polici që e vrau dënohet vetëm 10 vite burg

Babai i Klodian Rashës revoltohet me Gjykatën, polici që e vrau dënohet vetëm 10 vite burg

July 14, 2021 0

Sot në ditën e 216-të të mungesës së Klodianit, dënimi për atë që ia mori jetën u dha, por nuk ishte ai që kishte pritur Qazim Rasha.

Babai i 25-vjeçarit të vrarë më 8 dhjetor të vitit të kaluar shumë pak metra larg shtëpisë nga një efektiv i forcave Shqipinja, ka komentuar tepër i indinjuar vendimin e Gjykatës së Tiranës e cila dënoi sot me 15 vite burg Nevaldo Hajdarajn, që do të vuajë 10 vite, për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Qazim Rasha tha se kjo njollë e zezë nuk do i hiqet shtetit dhe i bëri thirrje qytetarëve dhe gazetarëve të ruajnë fëmijët.

“Do vijë momenti që do ti themi ca gjëra. Sot është momenti. Dua t’ju falënderoj ju nga zemra për punën fisnike që keni kryer që nga dita e parë deri tek dita e sotme. Falë jush shumë gjëra morën rrugë, pavarësisht inskenimeve që u munduan me të gjitha format. Falënderoj çdo person që ka trokitur në derën time nga dita e parë deri sot në ditën e 216, falënderoj çdo qytetar që mbushën sheshet. Ardhja ime që nga dita e parë ka qenë jo krejt pa domethënie. Ishte një makabritet që e kreu një sekt që çdo lloj epiteti mund të vendosësh vetëm epitetin njeri jo. Ai për të cilin paguan taksa, një lloj huligani, padrejtësisht vret një djalë i ri në rrugicën e shtëpisë së vet.
Pavarësisht alibisë, ngjarjes, tragjedisë, arriti deri aty sa viktima të marrë pozicionin e kriminelit dhe krimineli me petkun e viktimës. Është një ngjarje që ka tronditur jo vetëm themelet e familjes sime, por të mbarë shoqërisë, por edhe shtetit. Kjo njollë e zezë nuk do i hiqet. Mesazhi im një: fëmija im iku, u varros, por fëmija juaj, gjaku është njëlloj si i të gjithëve.
Mendoja që me këtë rast të shërbejë një shembull për këta që janë gjallë, të shërbejë si simbolikë që edhe ju kini kujdes, ruajini fëmijët tuaj!
Si mund ta quash drejtësi, kur çdo gjë është e qartë dhe me një të rënë të lapsit i jep gjykimin e shkurtuar. Mendoj dhe besoj tek drejtësia e re që po ngrihet.
Unë e kam kërkuar drejtësinë që ditën e parë, por me këtë lloj drejtësie nuk besoj se mund ta gjej as unë, askush”, deklaroi Qazim Rasha.

Gjykata dënon me 15 vite burg efektivin e policisë Nevaldo Hajdaraj, i akuzuar për vrasjen e të riut Klodian Rasha. Për shkak të gjykimi të shkurtuar dënimi ndaj Hajdarajt ulet në 10 vite burgim.

Gjatë seancës së sotme, avokati i Hajdarajt kërkoi ndryshim të veprës penale, nga vrasje me dashje në “Vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme” si dhe kërkoi të dënohet në minimum.

Vetë Hajdaraj nuk foli, por avokati shprehu pendesë dhe i shprehu në emër të klientit ngushëllime familjes.

revista.one/