BE me pasaporta për koronavirusin, vaksina kusht për të udhëtuar

BE me pasaporta për koronavirusin, vaksina kusht për të udhëtuar

March 17, 2021 0

Komisioni Europian ka propozuar ditën e sotme lëshimin e pasaportave të koronavirusit për të lejuar 450 milionë qytetarë që të udhëtojnë lirshëm brenda Europës këtë verë. Plani, i cili do të diskutohet javën tjetër gjatë një samiti të udhëheqësve të BE, parashikon krijimin e pasaportave që synojnë lehtësimin e udhëtimit nga një shtet në tjetrin.

“Të gjithë duam që sezoni turistik të fillojë. Ne nuk kemi mundësi të humbasim një sezon tjetër. Turizmi, kultura dhe sektorë të tjerë që varen nga turizmi, po vuajnë tmerrësisht. Ne po flasim për dhjetëra miliona vende pune”, ka thënë Zëvendës Presidentja e Komisionit Evropian, Vera Jourova.

Për të siguruar pjesëmarrjen e të gjitha vendeve anëtare, komisioni propozoi shpërndarjen e “Certifikatave të Gjelbërta Digjitale” falas për banorët e BE-së, të cilët mund të provojnë se janë vaksinuar kundër COVID-19, por edhe për ata që kanë testuar negativ për Covid-19 ose mund të provojnë se janë shëruar nga sëmundja.

Të gjitha këto pasaporta duhet të përfshijnë edhe të dhënat për datën e vaksinimit apo testimit, emrin e institucionit që e ka bërë testin apo vaksinimin, emrin e vaksinës dhe afatin e vërtetimit.

“Vaksinimi nuk do të jetë një parakusht për të udhëtuar. Të gjithë qytetarët e BE-së kanë një të drejtë themelore për lëvizjen e lirë në BE dhe kjo vlen pavarësisht nëse janë të vaksinuar apo jo. Certifikata e Gjelbër Digjitale do ta bëjë më të lehtë ushtrimin e kësaj të drejte, edhe përmes testimit dhe certifikatave të shërimit”, ka thënë Komisioni Europian.

Sipas të dhënave të përpiluara nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, më pak se 5% e qytetarëve europianë janë vaksinuar plotësisht për shkak të vonesave në shpërndarjen dhe prodhimin e vaksinave. Komisioni Evropian është shprehur me bindje se deri në fund të verës do të jenë vaksinuar 70% e popullsisë.

Komisioni propozoi që të gjitha vaksinat e miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave duhet të njihen automatikisht, por gjithashtu u ofroi qeverive mundësinë për të përfshirë vaksina të tjera si Sputnik i Rusisë ose Sinovac i Kinës, të cilat nuk kanë marrë autorizimin e tregut të BE.

Komisioni Evropian garantoi se “do të sigurohet një nivel shumë i lartë i mbrojtjes së të dhënave” dhe tha se pasaportat do të lëshohen në format digjital ose të printuar. Këto pasaporta do të pezullohen sapo OBSH-ja të deklarojë fundin e pandemisë së Covid-19. /revista.one/