Broja me plis të bardhë flet për golin që i ngjalli shpresat Shqipërisë

Broja me plis të bardhë flet për golin që i ngjalli shpresat Shqipërisë

September 5, 2021 0

Armando Broja ka shënuar sot një gol historik për Shqipërisë, të parin që i dha fitoren e parë ndaj Hungarisë në kualifikimet e Kupës së Botës.

Ai tregoi krenarinë e këtij momenti historik në fjalët për mediat pas sfidës.

“Shumë krenar për këtë fanellë, për këtë ekip. Ka qenë ndeshje e rëndësishme, duhej ta fitonim medoemos për tre pikët. Më futi trajneri dhe shyqyr Zotit bëra gol dhe u kënaqëm të gjithë”, deklaroi anëtari i Chelseat që është në huazim te Southamptoni në Ligën Premier.

“Goli vjen kur do goli, ka raste që luaj mirë e nuk vjen, më e rëndësishme është të marrësh tre pikë. Ekipi është më i rëndësishëm, unë luajta 20 minuta, por gjithë ekipi ka luftuar në fushë dhe jemi të kënaqur”.

“Jam lojtar që do të luajë gjithë ndeshjen, por ekipi është më i rëndësishëm dhe kur të fut trajneri 20 minuta, 10 minuta, asnjë, duhet të jesh pjesë e ekipit e duhet të mos bëhesh me nerva dhe të vazhdosh me futbollin”.

A ndjehem i vlerësuar nga Reja? Nuk di çfarë të them”, përfundoi Broja.

Shqipëria ka mposhtur 1-0 Hungarinë në përballjen e zhvilluar në Grupin I në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës.

Kjo fitore ka ringjallur shpresat e Shqipërisë për të ëndërruar kualifikimin në kampionatin botëror me Anglinë që po e kryeson grupin.

Kuqezinjtë ishin ata që e filluan më mirë takimin, duke rrezikuar me anë të Berat Gjimshiti, por që harkimi i tij nga gjuajtja e lirë u bllokua.

Tanët më pas tentuan nga disa goditje prej këndit, mirëpo shtylla dhe portieri i mysafirëve, ndaluan topin të futej në rrjetë.

Më pas Hungaria doli përpara me anë të Kleinheisler, por Etrit Berisha ishte i vëmendshëm dhe kapi topin.

Në minutën e 26-të, gjyqtari nuk akordoi penallti për Shqipërinë, pasi Bekim Balaj u rrëzua në zonë nga Gulacsi, mirëpo ishte faul në këtë të fundit.

Në 45 minutat e dytë, Edy Reja bëri një zëvendësim, duke e larguar Lorenc Trashin dhe inkuadroi Odise Roshin.

Sërish ishin tanët që kërkuan më shumë përpara, mirëpo u mungoi konkretizimi, por që merita i kishte edhe portieri hungarez.

Në minutat në vazhdim në lojë u inkuadruan edhe Qazim Laçi, Edri Çekiçi, Armando Broja e Erjon Hoxhallari.

Anëtari i Chelseat bëri efektin e menjëhershëm, duke shënuar golin e fitores në minutën e 87-të, e për t’i mbajtur gjallë shpresat e Shqipërisë për kualifikim.

Gjendja në Grupin I është se Anglia ka 15 pikë, Shqipëria ka nëntë, Polonia e Hungaria me shtatë, Andorra me tre dhe San Marino ende pa pikë.

revista.one/