“Dilni, tërmet 8 ballë”, ndalohet i riu me altoparlant, trembi banorët e plazhit të Golemit

“Dilni, tërmet 8 ballë”, ndalohet i riu me altoparlant, trembi banorët e plazhit të Golemit

September 20, 2021 0

Një 18-vjeçar ka alarmuar banorët e një kompleksi banimi në plazhin e Golemit, duke përhapur panik se gjoja një tërmet i fuqishëm do të binte dhe të gjithë duhet të dilnin nga apartamentet.

Shumë prej banorëve, një pjesë e të cilëve kanë banesa verore në kompleks, kanë dalë jashtë të tmerruar, ndërsa gjithçka ka rezultuar një shaka e shëmtuar.

”Me thënë të drejtën u tremba goxha. Dëgjohej: Policia e shtetit, dilni! Do të bjerë tërmet. U tremba si i gjithë pallati që dolën. Dhe ishte shaka. Personi që e kishte bërë filloi të bënte shaka. Pastaj erdhi policia dhe e dërgoi në komisariat”, tha një banore.

Ka qenë mbrëmje, kur 18-vjeçari ka vendosur të provokojë banorët e kompleksit ku jeton, pa menduar pasojat e veprimit të tij. Rreth orës 20.20 të së dielës, banorët kanë kërkuar ndërhyrjen e policisë e cila e ka kapur në flagrancë të riun, teksa bënte thirrje me altoparlant ”Dilni jashtë, tërmet 8 ballë.”

Kjo ngjarje e pazakontë vjen afro 2 vjet pas tërmetit të fuqishëm, që goditi Shqipërinë e Mesme në nëntor të vitit 2019, ndërsa pasojat dhe frika nga tërmeti nuk kanë kaluar ende. Banorë të kompleksit tregojnë se sot e kanë parë të riun në ambientet e kompleksit dhe më pas i shoqëruar nga prindërit ai është paraqitur në prokurorinë e Kavajës.

Sipas policisë, çështja i ka kaluar organit të akuzës e klasifikuar si “Përhapje e informatave të rreme që ngjallin panik”, vepër penale kjo që kur kryhet me qëllim që të ngjallë gjendje pasigurie dhe paniku te njerëzit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.