Drejt anulimit/ Bregoviç në Korçë? Bashkia: Na e propozoi një kompani, por ne nuk kemi vendosur ta ftojmë!

Drejt anulimit/ Bregoviç në Korçë? Bashkia: Na e propozoi një kompani, por ne nuk kemi vendosur ta ftojmë!

August 4, 2021 0

Ftesa këngëtarit serb Goran Bregoviç në fetën e Birrës “Korça” ka revoltuar qytetarët. Bregovic është konsideruar si frymëzues e idhull i ushtrisë vrastare serbe gjatë luftës në Kosovë sidomos me këngën “Kalashnikov”. Ai ishte mik i Radovan Karaxhiçit, Sheshelit, Arkanit dhe i kriminelëve të tjerë serbë të dënuar tashmë në Hagë për krime lufte.

Më në fund ka reaguar edhe Bashkia e Korçës. Në një prononcim për gazetën Express, Bashkia Korçë është shprehur se Festa e Birrës nuk duhet të ngatërrohet me politikën. Gjithashtu thuhet se këngëtarët propozohen nga një kompani që merret po ashtu me organizimin e festës, por aprovimi apo jo i tyre, i takon Bashkisë.

“Bashkia është organizatorja e festës së birrës, pjesa e kontraktimit të këngëtarëve është një marrëveshje që kemi me një kompani e cila na sugjeron se cilët këngëtarë mund të marrim. Patjetër, aprovimi kalon nga Bashkia, por këngëtarët propozohen, pra pjesa e organizimit të shoë-it, propozohet nga një kompani e kontraktuar. Ne faktikisht akoma nuk e kemi promovuar dhe nuk kemi nxjerrë materiale promocionale sa i takon kësaj pike. Nuk e kemi aprovuar akoma. Varet prej nesh”, ka deklaruar për Express Larisa Katundi, nga zyra për media e Bashkisë së Korçës.

E pyetur nëse Bashkia e Korçës është në dijeni për reagimet që janë bërë në Kosovë pas lajmit se Bregoviç pritet të këndojë në Korçë, Katundi tha se kjo nuk është hera e parë që ai vjen në Shqipëri dhe se kjo çështje po trajtohet më shumë politikisht se sa artistikisht.

“I kam lexuar portalet dhe e di që në fakt është kontestuar dhe është diskutuar shumë kjo pjesë. Por nuk është hera e parë që ai vjen, sepse ai ka bërë dhe një koncert në vitin 2006 në Tiranë, kështu që nuk është hera e parë që ai po vjen në Shqipëri, dhe jo vetëm në Shqipëri por në gjithë botën ka qenë. E di që është kontestuar kjo, e di që është diskutuar, por besoj se trajtohet më shumë politikisht sesa artistikisht, në fund të fundit Festa e Birrës është një festë që nuk ka lidhje me politikën, është art dhe nuk është se ka lidhje me respektimin e politikave”, ka deklaruar Katundi.

revista.one/