Dumani hap të gjitha letrat, 10 të arrestuar deri tani, në kërkim Ervis Martinaj dhe Suel Çela
May 19, 2022Aksion policor për të arrestuar krerët e grupeve kriminale në disa qytete, përfshirë edhe kryeqytetin.
Forcat e ndërhyrjes së Shpejtë kanë mësyrë edhe në lagjen 5 Maji.
Mësohet se Struktura e Posaçme ka lëshuar në total 32 urdhër-arrestesh, 19 vetëm në Elbasan, ndërsa në lagjen 5 maji, janë vendosur në pranga 2 persona.
Dëshmia e Nuredin Dumanit dhe mikut të tij Henrik Hoxhajt, ka vendosur autoritetet në lëvizje dhe kanë firmosur në total 32 urdhër-arreste dhe 15 urdhër-kontrolle. Dumani ka zbuluar të dhëna të sakta për bosë të bandave kriminale në disa qytete të Shqipërisë, më konkretisht, Tiranë, Fier, Lezhë dhe Elbasan.
Janë arrestuar deri më tani 10 persona, 2 prej të cilëve në Tiranë. Ndërkohë, urdhër-arreste janë lëshuar për Ervis Martinajn, Suel Çelën (në kërkim), Kamber Mehajn, Talo Çelën dhe Sokol Sanxhaktarin.
Ky i fundit ndodhet prapa hekurave i akuzuar për vrasje, mirëpo pas dëshmisë së Dumanit janë zbuluar implikime të tjera të tij.
Sakaq, Dumani ka treguar detaje mbi një porosi vrasje. Sipas tij, një bos krimi, i kishte ofruar 100 mijë euro për vrasjen e një personi, por që ekzekutimi nuk u krye për arsye ende të paditura.
Sa i takon Dumanit, ai u arrestua pak kohë më parë në Fier, fill pas atentatit të dështuar ndaj tij.
Ai u qëllua me breshëri plumbash pranë Elbasanit, por që arriti t’ia hidhte vetëm me një plagë në shpatull.
Mes të arrestuarve janë edhe personazhe të njohur të botës së krimit. Urdhrat janë miratuar nga GJKKO, ndërsa personat e skeduar dyshohen për vrasje, rrëmbim personi dhe shantazhe. Mes të arrestuarve në Elbasan rezulton një oficer policie. Ai dyshohet se ka pasur lidhje me grupet kriminale në qytet.
Në këto momente (ora 11:10) forcat RENEA janë duke kontrolluar disa zona në kryeqytet, mes tyre në zonën e Liqenit të Thatë ku mendohet se fshihen personat për të cilët është firmosur urdhërarreste.