Ekspozohen veprat e fundit të Arben Bajos, bashkëshortja: Ishte si amanet! 

Ekspozohen veprat e fundit të Arben Bajos, bashkëshortja: Ishte si amanet! 

October 14, 2022 0

Kompozimet e fundit të Arben Bajos në skulpturë, emërtohen “Mythodea”. Nga Odisea i lidhur, Uliksi tek del nga shpella e Polifemit a përbindshi Minotaur, 20 krijesat e tij të fundit, frymojnë art në galerinë “FAB”.

“Ishte si një amanet që unë doja ta realizoja medeomos, si një dëshirë e tij që kjo ekspozitë të çohej deri në fund. Sot ndihem shumë e emocionuar, për faktin se ja arritëm ditës, që të mbahej ekspozita e mbetur pas, e menduar për në prill të 2020-ës. Por për shkak të pandemisë dhe humbjes së Benit ajo mbeti pa u hapur”, rrëfen Teuta Bajo, bashkëshortja e skulptorit të ndjerë. 

“Beni ishte një skulptor i jashtëzakonshëm, për ne edhe një mik i tillë. Një person plot dashuri, që na plotësonte jetët në mënyrat e tij. Dhe si i tillë për ne dhe bashkëshorten e tij, ishte me shumë rëndësi që të mbahej kjo ekspozitë, e ideuar prej Teutës. Kështu që së bashku me Ardian Kapon, ne morëm përsipër të propozonim simfoninë e tij të fundit”, thotë studiuesi Ermir Hoxha, kurator i ekspozitës.

Arben Bajo sot do të shënonte datëlindjen e 55-të. Në qendër të ekspozitës, “Rënia e Pegasos’, më e fundit vepër e tij, duket sikur paralajmëron vdekjen e artistit.

“Është një vepër unike në artin shqiptar. Një Pegaso i rënë nga qielli, i kthyer në simbol edhe të humbjes së artistit, qoftë edhe të realitetit të dimensionit shpirtëror të njeriut”, shton më tej Hoxha.

I frymëzuar nga mitologjia e librave antik që mbante në studion e tij e figurat e zeza të vazove greke, skulptori, siç thotë kuratori Ermir Hoxha abstragonte, me qëllimin final që vepra e tij të derdhej në bronz. E në shumë prej personazheve mitologjikë qoftë  Herkuli, Odisea a Uliksi, gjejmë Bajon të personifikuar.

“Në fatin e vet të trishtë kjo ekspozitë ishte një nga ekspozitet më kulmore të krijimtarisë së tij. Sepse Zhvillohet në dy linja të ndryshme, njëra i takon marrëdhënies së Benit me mitologjinë, ku ai vendos veten e tij në vetë të parë, duke u materializuar herë si Odisea, herë si Minotauri… dhe të gjitha këto kishin të bënin me filozofinë e tij të jetës, sesi ai mundohej ta personifikonte veten me mitologjinë për të ngritur gjeagjëzën universale të gjinisë njerëzore. Ndërsa linja e dytë ka të bëjë me mitologjinë në vetë të parë, që ai e rrëfen në mënyrë shumë të rafinuar e bashkëkohore”, shprehet kuratori.