Elvana Gjata: Merrni krevat dhe çadra, në stadium deri në mëngjes

Elvana Gjata: Merrni krevat dhe çadra, në stadium deri në mëngjes

June 17, 2023 0

Këngëtarja Elvana Gjata vazhdon përgatitjet për koncertin “Dekada” që do të mbledhë mijëra dashamirës të muzikës së saj në stadium. Ndërsa këtë mbrëmje u shkëput nga provat për një intervistë në “Më lër të flas”.

Publiku më i veçantë për Elvana Gjatën, në koncertin e saj recital, do të jetë padyshim familja.

Koncerti nuk do të bëhej, nëse aty nuk do të ishte mami dhe babi, tha këngëtarja.

“Nëse nuk është mami, kush do të qajë aty? Patjetër që do të jenë, ata janë forca ime”, u shpreh artistja.

E emocionuar, Elvana rrëfen se pika e saj e dobët është babi.

“Babi është pika ime e dobët. E di që ku të shkoj në shtëpi mami do të thotë avash mi avash. Prindërit nuk i ndan dot, por babin e kam pikë të dobët. Është një mbështetje shumë e madhe për mua dhe kujdeset shumë. Kur jam në Tiranë, ai përgatit çdo ushqim që unë konsumoj që të kem energjitë e duhura. Babi gatuan për mua dhe unë ia puth duart”.

Ndërsa motra do të jetë pjesë e koncertit, duke performuar live për publikun.

“Motra është gjithashtu një mbështetje shumë e madhe, me motrën kemi punuar shumë pasi ajo është edhe profesoreshë e Bel Cantos, përveç se është soprano, ka punuar shumë me zërin tim, ka qenë e para që ka evidentuar zërin tim”, tha këngëtarja.

Njeriu i zemrës

Një prej njerëzve më të afërt të këngëtares Elvana Gjata do të jetë pjesë e koncertit recital që do të mbahet më 22 qershor.

Ajo do të jetë motra e artistes, e cila është soprano dhe e ka ndihmuar shumë për koncertin. Këngëtarja tha se ka qenë motra që ja zbuluar e para talentin e saj.

Donaldi: Jemi shumë kuriozë a do të këndojë motra jote tek koncerti apo jo.

Elvana: Patjetër që do të jetë motra.

Donaldi: Do të këndojë?

Elvana: Po do të këndojë, padiskutim që asnjë kokërr leku. Motra është gjithashtu një mbështetje shumë e madhe, me motrën kemi punuar shumë pasi ajo është edhe profesoreshë e bel cantos, përveç se është soprano, ka punuar shumë me zërin tim, ka qenë e para që ka evidentuar zërin tim.

Romeo: Kush është frika jote më e madhe, motin kohën, se këto ditë po jetojmë si në Londër.

Elvana: Të them të vërtetën nuk kam frikë nga asgjë.

12 mijë bileta të shitura

Elvana tregoi detajet e koncertit që tha se “ka një jetë që e mendon”.

Kjo është hera e parë dhe është historike që një artist shqiptar bën një koncert recital. Për mua është shumë krenari dhe përgjegjësi e madhe. Jam e lumtur dhe mirënjohëse që ia arrita kësaj dite. Është dëshirë shumë e hershmja imja”.

Mbi 12 mijë bileta janë shitur deri më tani, ndërsa binjakët Donald dhe Romeo Veshaj e pyetën artisten se cila ka qenë gjëja më e vështirë për t’u përgatitur.

“Është një mori gjërash që duhet ti krijojmë. Na duhet edhe t’i shpikim, sepse nuk ka asnjë strukturë. Çdo detaj është i ndërtuar e shumë dashuri”, u përgjigj Elvana, e cila përshkroi emocionin që ndjen për këtë event gjigant.

“E di çfarë emocioni që është… nuk mund t’ua shpjegoj. Unë kam shumë vite që bëj muzikë. Shumë vite eksperiencë dhe shumë gjëra i përjetoj akoma si fëmijë. Që në momentin e parë që doli reklama, biletat e para që po shiteshin, ishte një emocion kaq i madh… ka ende flutura në stomakun tim. Më vlon gjaku nga gëzimi, nga dashuria, jam shumë me fat”.

Çadra dhe krevat?!

E pyetur nëse do t’a këndojë të gjithë repertorin e saj, prej më shumë se 70 këngësh, Elvana sqaroi se ka krijuar një buqetë shumë të bukur për të gjithë fansat e muzikës së saj që do t’i bashkohen të enjten e ardhshme.

E sikur të mos mjaftonte kjo, Elvana në formë shakaje premtoi edhe çadra dhe krevat për këdo që ishte i gatshëm të zbardhte mëngjesin nën tingujt e muzikës së saj. Madje edhe tualet, në rast emergjencash, për Donaldin.

Pjesë nga biseda:

Romeo: Elvana, në mos gaboj, janë mbi 70 këngë… do t’i këndosh të gjitha aty apo jo? I bie të marrin njerëzit bukë me vete.

Elvana: Po, do t’i këndojmë të 70-ta. Bashkë me biletën ofrohet edhe një krevat me një jorgan, do flemë të gjithë aty.

Donaldi: Aaa, sa lezetshëm…

Romeo: A e ke mëngjesin me koncert, a është i përfshirë aty?

Elvana: Koncerti fillon në darkë, mbaron në mëngjes në mënyrë që…

Donaldi: A do kemi bide aty?

Elvana: …. një vetëm për ty.

Donaldi: Një vetëm për mua sepse unë jam si Andrometa VIP-i.

Elvana: Meqënse ma kanë bërë shumë herë këtë pyetjen, sepse i shikoj edhe aty disa tipa që më kanë pyetur 100 herë se çfarë do të këndosh. “Do ta këndosh këtë këngën, po atë këngën?” Do doja t’i këndoja të gjitha këngët, por kam krijuar një buqetë shumë të bukur me disa prej tyre.

Donadi: Po sa këngë mund të jenë, apo nuk e marrim dot si informacion ne?

Elvana: Tani do t’i themi, por avash- avash. E zbulojmë në emisionin tjetër.

Romeo: Po, në emisionin tjetër. Elvana ka për të dalë këtu 3 javë rresht.

Donaldi: Kjo kënga “SI NA”, a ka njerëz që e shijojnë?

Elvana: Po, dhe jam shumë e lumtur në fakt që është bërë pjesë e çdo dasme, një pjesë shumë e rëndësishme e ditës më të lumtur të çdo çifti.

revista.one/