Elvana Gjata përlot në studio Pirro Çakon, e kthen 30 vjet pas, në Paris

Elvana Gjata përlot në studio Pirro Çakon, e kthen 30 vjet pas, në Paris

May 1, 2021 0

Pirro Çako përlotet kur flet për kompozimin “Vendi im”. Mbrëmjen e kësaj të shtune, Elvana dhe Pirro ishin të ftuar në emisionin “Soiree”.

Ata zbuluan se ka qenë Elvana ajo që e ka kontaktuar. Gjithçka ka nisur nëpërmjet një bisede në telefon.

Ndërkaq Pirro ka treguar se me këngën “Vendi im” që Elvana e ka sjellë në bashkëpunim me motrën e saj Migena Gjata, ka një lidhje më të fortë dhe emocionale.

Pirro zbuloi i përlotur dhe i emocionuar se këtë këngë e ka shkruar para 30 vitesh. Është një dedikim për babain e tij.

Gjithmonë që do e dëgjojë këtë këngë, do t’i kujtohet ai.

“Kjo këngë ka një histori 30-vjeçare. Notat e para, strofën e parë e kam hedhur para shumë vitesh. Nuk jetoja në Shqipëri, por në Paris dhe në ato momente banoja afër aeroportit. Ajo ishte periudha që mua më preku shumë. I shihja avionët teksa uleshin dhe ngriheshin kaq lehtë dhe unë nuk e kisha këtë mundësi që të takoja prindërit. Më merrte malli, sigurisht edhe për miqtë dhe të afërmit. Këtu nisi. Pas shumë vitesh kur unë humba babain, fillova të mendoja që t’i dedikoja diçka. Kisha shumë dëshirë.

Këto 3 vite jam munduar shumë që të gjeja diçka, që unë të ndihem krenar për atë dedikim. Me thënë të drejtën nuk e kam gjetur dot akoma dhe shpresoj që ta gjej një ditë. Kjo këngë (“Vendi im”) brenda ka dhe një pjesë për atë. Sepse sa herë që unë e pyesja, sidomos pas viteve ’90, kur gjërat ndryshuan dhe ai ishte një artist që sapo kishte dalë në pension, të vjen keq që qëlloi të jetosh këtu. Ai më thoshte që jo, jam krenar që jam artist i këtij vendi. Më mbeti kjo gjë në kokë.

Kjo ishte një nga arsyet që më shtyu që unë të kthehesha në Shqipëri. Sepse kisha nevojë që të kisha kontakt me të dhe t’i jepja një shtysë karrierës time. Doja që ai të ndihej krenar që kishte një vazhdues.

Kjo këngë (“Vendi im”) i dedikohet edhe atij, sepse unë e rikompozova. Mora atë strofë që ishte shkruar vite më parë dhe i dedikohej prindërve, malli për vendin tim. Në këtë moment e dëgjon Elvana. Ky është momenti që i them që kam shkruar diçka për babain tim në vazhdën e albumit, pa patur lidhje fare. Kjo e dëgjon këngën dhe thotë sa e bukur që është.

Me kalimin e kohës zbulova që Elvana kishte dëshirë që ishte pjesë e kësaj kënge. Dhe më hodhi idenë që kishte ndërmend të bënte diçka me motrën. Edhe ajo kishte një histori të ngjashme”, është shprehur Pirro Çako.

Elvana ka treguar se në fakt kënga “Vendi im” është e preferuara e saj. Madje shumë herë ka qarë me këtë këngë.

Mund të them që është edhe e preferuara ime në fakt. Kam një dobësi shumë të madhe për këtë këngë. Thjesht kam qarë, jam rrënqethur.

Në fakt unë as guxoja që t’ia thoja Pirros që do doja unë ta kisha këtë këngë, por e kuptoi Pirro vetë”, tha Elvana Gjata.

Më tej Pirro shtoi:

“..Pata një shkëndijë dhe i thash që Elvana kam besim që kjo këngë do të realizohet. Sa herë që do ta dëgjoj, sa herë që Migena dhe Elvana thonë vargjët e strofës së dytë, këto vajza, motra, imagjinojnë shohin njëra-tjetrën, mijëra njerëz do gjejnë veten e tyre, ndërsa unë do imagjinoj siluetën e babait tim që më ëshikon dhe e shikoj.

Elvana Gjata përfundoi duke thënë se në fakt  është një nder i madh për të dhe motrën e saj, Migena Gjata të këndojë këtë këngë.

Filmi muzikor

Elvana foli edhe për një projekt të ri.

“Në fakt unë këtë projekt doja që t’ia kushtoja femrës shqiptare, prandaj zgjodha datën 8 mars. Kam punuar shumë me Dalina Buzin. Skenariste, regjisore, gjithçka është ajo. Është një ndër njerëzit më kreativë që unë njoh dhe jam me fat që kam mundësi të punoj me të.

Punuam bashkë për atë projekt. Duhet ta them, ajo ndoshta do të mërzitet, por do ta them, sepse dua t’i shpall gjërat. Ndoshta do ta bëjmë shumë shpejt. Projekti në fillim ka qenë një film muzikor. Absolutisht që ne do të punojmë për ta bërë të mundur këtë gjë në një kohë të dytë.

Ajo që ishte më e bukur është që ajo e krijoi të gjithë fabulën duke dëgjuar muzikën. Këngët ishin bërë dhe ajo e krijoi gjithë këtë film. Mua më ka ngelur në zemër”, ka treguar Elvana.

revista.one/