Filmi aksion nis xhirimet në Tiranë/ Nik Xhelilaj vjen nga Turqia në rolin e policit që lufton korrupsionin

Filmi aksion nis xhirimet në Tiranë/ Nik Xhelilaj vjen nga Turqia në rolin e policit që lufton korrupsionin

August 5, 2022 0

Një film shqiptar i zhanrit aksion e komedi po xhirohet në Tiranë duke bashkuar në një kast, Nik Xhelilaj, Alfred Trebicka, Arben Bajraktari, etj. Xhelilaj është shkëputur nga Turqia për të gjetur një tjetër personazh që këtë herë mbron ligjin.

“Personazhi im është mbrojtës i ligjit deri në nota naive. Është personazh idealist dhe beson në shtetin e rregullit, jam në rolin e një detektivi që krijon një farë ideali, ose idhulli. Jam edhe vetë pozitiv në këtë drejtim sepse e kam për here të parë këtë rol dhe me shumë gjasa do të jetë shumë interesante”, tregon Nik Xhelilaj.

Filmi që titullohet “Policë për kokë” dhe trajton plagën më të madhe të shoqërisë, Alfred Trebicka vjen në rol drejtuesi.

“Unë do të jem në lëkurën e një komisari policie që jo se nuk e kupton se ç’ndodh rrotull tij, por beson verbërisht te detyra e tij dhe shteti që i shërben. Skenari në vija të përgjithshme rrok temën e korrupsionit ku policisë i bie barra kryesore për të pasur situatën në kontroll e për të zgjidhur të gjitha problemet”, tha Trebicka.

Filmi me regji të Aldo Markut, i bën homazh uniformave blu që ruajnë pastërtinë e figurës dhe bien në krye të detyrës.
“Sigurisht që është edhe një lloj homazhi këtë brez e gjeneratë policësh e oficerësh të rënë në detyrë, për ata heronj të heshtur që shpesh harrohen”, u shpreh Trebicka.

Filmi është me metrazh të gjatë dhe xhirimet sapo kanë nisur.