Italia nuk njeh patentat shqiptare, dy muaj pasi është nënshkruar marrëveshja

Italia nuk njeh patentat shqiptare, dy muaj pasi është nënshkruar marrëveshja

May 10, 2021 0

Sot shënohen plot dy muaj nga dita kur kryeministri shqiptar Edi Rama e deklaroi të kryer njohjen e marrëveshjes për patentat shqiptare në Itali. 

“Ministrja Olta Xhacka zyrtarizon në Romë marrëveshjen për lejet e drejtimit të shqiptarëve në Itali. Më në fund! Faleminderit Luigi di Maio dhe faleminderit të gjithë atyre që punuan me durim për të arritur atje”, shkruante më 10 mars 2021, kreu i qeverisë shqiptare në faqen zyrtare në Facebook.

Por sot 10 maj 2021, pra dy muaj më vonë, kjo marrëveshje nuk ka hyrë në fuqi e nuk njihet ende nga shteti italian.

Qeveria shqiptare ka miratuar në Fletoren Zyrtare marrëveshjen me qeverinë italiane për njohjen e patentave.

Me këtë vendim, të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë marrë një leje drejtimi në Shqipëri dhe që vizitojnë shtetin përtej Adriatikut ose punojnë do të kryejnë konvertimin e patentës pa patur nevojë për prova teorike dhe praktike.

“Marrëveshja do të ketë një kohëzgjatje prej 5 vjetësh. Duke filluar një vit para përfundimit të afatit, palët do të fillojnë konsultimet për të vijuar me rinovimin e kësaj marrëveshjeje, në mënyrë që të mos ndodhë ndërprerja, qoftë edhe e përkohshme, e konvertimit të lejeve të drejtimit”, thuhet ndër të tjera në vendim.

Marrëveshje mes Italisë e Shqipërisë për njohjen e patentave shqiptare, ka skaduar prej dhjetorit të 2019, e  ka vënë në vështirësi ekonomike e punësimi mjaft prej emigrantëve shqiptarë që punojnë kryesisht në sektorin e transportit.