Ja sa shqiptarë morën shtetësinë italiane vitin e fundit
September 21, 2021Mbi 26 033 emigrantë shqiptarë kanë marrë nënshtetësinë italiane gjatë një viti e janë më të shumtit në numër ndër komunitetet e huaja që jetojnë e punojnë në Itali.
Ndërsa në vendin e pesëmbëdhjetë renditen emigrantët kosovarë me rreth 2300 nënshtesi italiane të marra gjatë një viti.
Të dhënat janë marrë nga bilanci i fundit demografik i Institutit Kombëtar Italian të Statistikave, sipas të cilit gjatë vitit 2020 janë 132 736 shtetas të huaj që kanë marrë nënshtetësinë italiane e 4.5% më shumë se sa në vitin 2019 kur numri i tyre ishte 127 001.
Numri më i madh i marrjes së nënshtetësisë italiane i përket emigrantëve shqiptarë që përbëjnë 20.5% të numrit të përgjithshëm ndër komunitetet e huaja.
Sipas raportit të ISTAT, në çdo 100 rezidentë shqiptarë në Itali, 6.2 prej tyre kanë marrë nënshtetësinë italiane.
Në vend të dytë renditen marokenët me rreth 15 814 që kanë marrë nënshtetësinë italiane gjatë një viti.
Emigrantët kosovarë janë të 15-dhjetët në renditjen e komuniteteve të huaja, për marrjen e nënshtetësinë italiane e janë 2367 kosovarë që janë bërë shtetas të rinj italianë.
Në çdo 100 kosovarë rezidentë në Itali, 6 prej tyre kanë marrë nënshtesinë italiane.
Ndërsa emigrantët serbë në Itali, janë pak më lart në numër e renditen të 12 në listën e komuniteteve të huaja me nurmin më të lartë të nënshtesisë italiane me 2561 italianë të rinj me origjinë serbe.
Ndërsa emigrantët nga Maqedonia e Veriut janë të pestët në renditje me 4 966 nënshtetësi të marra.
Sipas raportit të Institutit Italian Kombëtar të Statistikave, nga vitit 1998 deri më 2020 janë 1 625 649 emigrantë që kanë fituar të drejtën e marrjes së nënshtetësisë italiane. / Nga Alba Kepi, Rtv Ora/