Kërcënohet jeta e Ambasadorit Soreca, vendoset nën mbrojtjen e Gardës së Republikës
June 24, 2021Jeta e Ambasadorit të BE mund të jetë në rrezik. Nuk bëhen të ditura konkretisht kërcënimet, por zyrtarisht është vendosur të merret nën mbrojtje fizike. Burime jozyrtare thonë se Soreca është kërcënuar në lidhje me Vetingun. Kujtojmë se Misioni Ndërkombëtar i BE dhe SHBA ka hasur në rezistencë për të ankimuar disa vendime për prokurorë e gjyqtarë të lartë.
Në vendimin e qeverisë shqiptare, i cili u botua sot në Fletoren Zyrtare, përcaktohet se Garda e Republikës do të ruajë dhe mbrojë ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca.
Një pikë tjetër e këtij vendimi ka të bëjë gjithashtu me mbrojtjen e objektit, ku qëndron dhe ushtron veprimtarinë diplomati i huaj.
VENDIMI/ Nr. 375, datë 23.6.2021
Për përcaktimin e personaliteteve dhe objekteve të tjera që ruhen e mbrohen nga garda e Republikës:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 12, pikat 1, shkronja “d”, e 2, shkronja “d”, të ligjit nr.33/2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
VENDOSI: 1. Garda e Republikës ruan dhe mbron këto personalitete:
a) Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri.
2. Garda e Republikës ruan dhe mbron këto objekte:
a) Objektet ku akomodohet dhe ushtron veprimtarinë personaliteti i përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij vendimi.
3. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare’- vendimi i botuar në fletoren zyrtare. revista.one/