(Video) Kokaina, 400 kg drogë e fshehur në pakot e mishit nga Brazili, flet Kryeprokurori i Kosovës

(Video) Kokaina, 400 kg drogë e fshehur në pakot e mishit nga Brazili, flet Kryeprokurori i Kosovës

May 17, 2021 0

Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë dalë në një konferencë për mediat pas konfiskimit të 400 kilogramëve kokainë në një kontejner me ngarkesë mishi të ardhur nga Brazili.

Kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi deklaroi vlera e drogës kapte shifrat e 20 milionë eurove nëse do të dilte për shitje në treg. Mes të tjerash ai tha se aksioni është bërë në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e Shqipërisë dhe shtetit të Italisë.

Mes të tjerash mësohet se kamioni kishte hyre në Kosovë më datën 15 maj dhe së kishte qëndruar i parkuar në oborrin e një magazine. Ndërkohë, bëhet e ditur se në orën 11 ka nisur operacioni pasi të dyshuarit kanë hapur kontënierin dhe kanë marrë ngarkesën.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Sabedin Mehmeti, ka thënë se lidhur me këtë rast janë arrestuar shtatë persona, shtetas të Kosovës dhe disa të tjerë janë në kërkim si pjesë e grupit kriminal

Ai tha që dërgesa në Kosovë ka ardhur më datë 15 maj, teksa informacioni ishte marrë që më 3 maj. Mehmeti dha detaje dhe nga operacioni i sotëm, teksa theksoi se ka pasur kontrolle në vende të ndryshme.

“Policia e Kosovës më 3 maj përmes kanaleve zyrtare ka pranuar informacion se një dërgesë, përkatësisht kontejner është në një port italian dhe ka ardhur nga Brazili, me destinacion Kosovën dhe ka dyshime se mund të ketë të fshehur narkotikë të llojit kokainë. Gjatë komunikimit me autoritetet italiane është arritur pajtueshmëria që të realizohet një hetim dhe operacion i përbashkët nga porti italian, në portin e Durrësit dhe deri në destinacionin përfundimtar në territorin e Kosovës.

Përgjatë tërë kohës së lëvizjes është bërë përcjellja e dërgesës si dhe personave të dyshuar, të implikuar në këtë rast. Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Kosovës kanë formuar një grup të përbashkët për hetimin e këtij rasti. Institucionet e tre shteteve kanë bashkëpunuar ngushtë. Ka pasur komunikim të rregullt mes institucioneve të tre vendeve. Ngarkesa ka mbërritur më 15 maj dhe gjatë kohës është mbikëqyrur nga policia e Kosovës. Sot rreth orës 11:00 të dyshuarit kanë filluar aktivitetin e tyre kriminal për të tërhequr sasinë e dyshuar të narkotikëve dhe policia ka ndërhyrë. Janë arrestuar personat e dyshuar dhe janë gjetur 400 kg kokainë. Janë bastisur edhe disa lokacione të tjera në kërkim të sasive të tjera të lëndëve narkotike. Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se ngarkesa ka ardhur nga Brazili, duke kaluar në disa shtete, përmes Kosovës dhe me destinacion disa shtete të tjera potencialisht të mundshme. Droga ishte e fshehur dhe e kamufluar në pako të ngjashme me lloje të ndryshme të mishit. Gjatë këtij operacioni janë arrestuar 7 persona, shtetas të Kosovës. janë konfiskuar rreth 400 kg kokainë, një armë si dhe lloje të ndryshme të automjeteve.

Policia është në kërkim dhe të disa personave të dyshuar që dyshohet se kanë qenë pjesë e këtij grupi kriminal”, deklaroi kryepolici i Kosovës.

Ai theksoi se prokurori i rastit ka autorizuar bastisjen edhe disa lokacioneve tjera.

“Dërgesa kishte destinacion edhe shtete të tjera dhe deri më tani janë arrestuar shtatë persona shtetas kosovarë. Janë konfiskuar edhe telefona, vetura edhe një armë”, u shpreh Mehmeti duke shtuar se mund të ketë bastisje dhe arrestime të tjera pasi operacioni është duke vijuar.

Ndërkaq përfaqësuesi italian tha se nuk ka pasur përfshirje të DEA-s amerikane dhe se janë përfshirë në hetim dhe operacion autoritetet italiane, shqiptare dhe ato të Kosovës.

“Është aktiviteti ynë hetimor. Jemi vetëm ne të përfshirë në këtë aksion”, tha ai.

Kreu i SPAK-ut

Kreu i SPAK Arben Kraja ka folur bashkë me drejtuesit e prokurorisë dhe policisë së Kosovës si dhe kolegët italianë për operacionin e finalizuar sot me kapjen e 400 kg kokainë në Lipjan, në një kamion me ngarkesë mishi që kishte ardhur nga Brazili.

“SPAK ka qenë e përfshirë në hetimin e këtij rasti që në momentet e para që ka ardhur informacioni nga autoritetet e huaja me të cilat ne bashkëpunojmë në mënyrë të vazhdueshme dhe jemi këtu sot me produktin që kemi arritur” tha ai.

revista.one/