Kosova mbyll klubet e natës, ndalon dasmat dhe ahengjet për shkak të pandemisë

Kosova mbyll klubet e natës, ndalon dasmat dhe ahengjet për shkak të pandemisë

August 19, 2021 0

Qeveria e Kosovës një ditë më parë ka miratuar masat e reja për të parandaluar përhapjen e COVID-19 në Kosovë, sipas propozim vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Me këto masa të reja nga data 20 gusht do të mbyllen klubet e natës dhe do të ndalohen ahengjet familjare, si dasma e fejesa.

Nga momenti i publikimit të vendimit, do të shkurtohet edhe orari i gastronomisë.

“Nga data 20 gusht do të mbyllen klubet e natës, do të ndalohen ahengjet si fejesat, dasmat etj. Nga momenti i publikimit të këtij vendimi në faqen zyrtare do të shkurtohet orari i gastronomisë”, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në konferencë për media.

Me masat e reja ndalohet hyrja në mjetet të transportit publik pa maskë.  Operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë, duke shfrytëzuar kapacitetin e plotë të ulëseve, me kusht që personeli dhe udhëtarët të mbajnë maskën gjatë tërë kohës.

Në taksi lejohen të udhëtojnë deri në dy udhëtarë.

Teatrot, bibliotekat, orkestrat, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të Komunave, lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet.

Shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme bëhet në proporcion 1 klient në 8m2.

revista.one/