Kosovë/ Shoferi i vrarë me dy nxënësit, shkak i vetëvrasjes së një 20-vjeçareje një vit më parë; Këta janë të arrestuarit
December 11, 2021Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona lidhur me vrasjen e trefishtë në Gllogjan. Bëhet fjalë për tre të arrestuar nga ky fshat.
Tre të arrestuarit dyshohet se kanë lidhje me vrasjen e shoferit Gani Gjokaj dhe dy nxënësve Genta Mustafaj dhe Ledion Hamzaj në Gllogjan.
Dyshohen se motivet e këtij sulmi lidhen me një rast të vetëvrasjes të një vajze nga fshati Gllogjan.
Sipas familjes së vajzës së vetëvrarë arsyeja e kësaj vetëvrasje është shoferi i autobusit, Gani Gjokaj.
Prokuroria e Pejës ka thirru konferencë të jashtëzakonshme sot në orën 21:30.
“Pas ndodhjes së rastit kemi filluar hetimet intensive me ndihmën e Prokurorisë së Shtetit. Pas punës intensive janë arrestuar tre persona me dyshimin se kishin kryer veprën penale të vrasjes së rëndë. Prokuroria i ka ndaluar për 48 orë”, ka thënë kryeprokori Agim Kurtmehaj.
“Nuk mund të japim informata të tjera që do të mund ta dëmtonin procesin e hetimeve. Ne si Prokurori zotohemi se edhe pas arrestimit të tyre, do të vazhdojmë me intensitet të shtuar për ta ndriçuar këtë rast deri në fund. Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, nuk mund të marrim pyetje”, potencoi Kurtmehaj.
Këta janë të arrestuarit
Telegrafi mëson se të arrestuarit janë H.M. dhe dy djemtë e tij, K. dhe M. M. nga Gllogjani
Ditë më parë janë kryer edhe disa bastisje në disa lokacione të caktuara në lidhje me këtë ngjarje. Sipas burimeve, të arrestuarve u është konfiskuar një pistoletë dhe një pushkë kallashnikov.
Dyshohet se motivi i sulmit ndaj autobusit në Gllogjan, ku u vranë tre persona, lidhet me vetëvrasjen e 20-vjeçares nga Gllogjani, H. M., e cila i dha fund jetës së saj në qershor të vitit 2020.
Deri më tani institucionet e hetuesisë nuk kishin dhënë detaje në lidhje me rastin, ndërsa presioni publik ka qenë i lartë për të zbardhur autorët dhe motivet e krimit të rëndë. revista.one/