Kryetarët me 133 parti që mbijetuan dhe e bënë tranzicionin stafetë për veten
March 9, 2021Në Shqipëri, sipas regjistrit të Gjykatës në Tiranës dhe dokumenteve në Ministrinë e Drejtësisë janë regjistruar gjithsej133 parti politike.
Azem Hajdari, kryetar i parë i PD-së
Më 12 Dhjetor 1990 u themelua Partia Demokratike. Ishte produkt i lëvizjes studentoreantikomuniste të Dhjetorit 1990-të.Në krye tëKomisionit Nismëtar për krijimin e PD-së, u zgjodh AzemHajdari. Më vonë kryetar u zgjodh mjeku kardiolog Sali Berisha.
Në zgjedhjet e para pluraliste, 31 mars 1991, morën pjesë: Partia e Punës e Shqipërisë (56.17% të votave); Partia Demokratike (38.71%); Organizata Omonia (0.73%): Komiteti Veteranëve (0.28%); Partia Republikane (1.77%); Partia Agrare (0,07%)
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 22 marsit të vitit 1992, PD fitoi shumicën absolute të vendeve në parlament. Renditja e partive si pas vendeve ne Kuvend në këto zgjedhje ishte: PD (65.71%) PS (27.14%) PSD (5%) PBDNJ (1.43%) PR (0.71%)
PD qeverisi deri në vitin 1997 me kryeministër Aleksandër Meksin dhe President Sali Berishën.
Aleanca Demokratike, çarja e parë e demokratëve
Menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 1992 në PD pati divergjenca mes një grupi deputetësh dhe lidershipit.
Këta deputetë u përjashtuan nga PD dhe më pas krijuan Partinë Aleanca Demokratike, e cila u regjistrua më 11 janar 1992, si parti e spektrittë qendrës. Kryetar i saj ishte Neritan Ceka.
Që nga krijimi i saj, Partia Demokratike ka prodhuar afro 20 parti të reja. Partia e parë ishte Aleanca Demokratike (PAD) ku morën pjesë si iniciatorë Gramoz Pashko, Neritan Ceka, Preç Zogaj, Teodor Keko, Arben Imami, Arben Demeti, Ridvan Peshkëpia.
Në gusht 1992, në konferencën e Këshillit Kombëtar të PD-së, ky grup i deputetëve të pakënaqur përmes një mocioni e akuzuan Berishën për humbjen në zgjedhjet lokale të muajit korrik. Berisha reagoi duke i përjashtuar deputetët rebelë.
Më 1997, PD-ja i humbi zgjedhjet dhe doli në opozitë për tetë vite. PAD-ja, në anën tjetër, do të vazhdonte të rritej duke fituar gjashtë deputetë më 2001 dhe tre në vitin 2005. Pas zgjedhjeve të vitit 2005, Berisha arriti t’i afronte të gjithë të ikurit, që kishin krijuar parti dhe i futi në qeveri. Edhe PAD-ja u pajtua me PD-në dhe bashkëqeverisi në vitet 2005-2009.
Në zgjedhjet e parakohshme të qershorit 1997, Partia Demokratike kaloi në opozitë.
Dimri i PD-së, fillojnë ndarjet
Në dhjetor 1999, nënkryetari i kësaj partie, Genc Pollo u përjashtua nga PD dhe krijoi Partinë Demokratike të Re (PDR). Pas vitit 2005 u rikthye në PD, duke e shkrirë partinë e tij.
Në vitin 2005, Partia Demokratike u rikthye në pushtet më sloganin “Koha për Ndryshim”,
Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, koalicioni i drejtuar nga PD fitoi më shumë vende në parlament se koalicioni i PS-së, por iu desh aleanca LSI-në për të krijuar qeverinë. Në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, koalicioni i drejtuar nga PD humbi ndaj PS plus LSI. Kryetari i PD, Sali Berisha dha dorëheqjen.
Një muaj më vonë, Lulzim Basha, kryetar i Bashkisë Tiranë dhe ish- ministri i Ministër i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi u ballafaquan në zgjedhjet “një anëtar një votë”, që u fituan nga i pari.
Në vitin 2012, ish-President i Shqipërisë, Bamir Topi, ish-nënkryetar i PD-së, bashkë me ish-ministrin Gazmend Oketa u larguan dhe krijuan Forcën e Re Demokratike (FRD).
Ndarjet pas protestës me çadër tek Bulevardi
PD shkoi në zgjedhjet e radhës me protestën me vendosjen e çadrave në bulevard që kulmoi me një marrëveshje me kryeministrin Rama për administrimin e zgjedhjeve nga ministrat teknikë më 17 maj 2017. Zgjedhjet u humbën. Pas debateve të shumta të brendshme, ish kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ish-këshilltarët demokratë të Bashkisë Tiranë Leonard Olli dhe FabianTopollaj, më 23 prill 2019 krijuan partinë Bindja Demokratike. Koordinator u caktua Patozi.
Nga PD u larguan edhe ish-nënkryetarja Jozefina Topalli, Rudina Hajdari, Besnik Mustafaj, Genc Ruli, por këta të dy fundit u rikthyen me detyrë në Komisionin e Vlerësimit të kandidaturave dhe pastërtisë në PD.
Partia e Punës u bë PSSH
Partia Socialiste u themelua më 12 qershor 1991, gjatë punimeve të Kongresit të 10-të të Partisë së Punës së Shqipërisë (PPSH).
Në këtë mënyrë, u shpërbë e gjithë Byroja Politike dhe anëtarësia e vjetër e partisë si dhe u zgjodh kryetari i ri Fatos Nano, i cili kishte shërbyer edhe si kryeministër nga 22 shkurti deri më 5 qershor të vitit 1991.
Pavarësisht humbjes së thellë në zgjedhjet e përgjithshme elektorale, tre muaj më vonë, PS, arriti të siguronte fitoren me një rezultat të ngushtë në zgjedhjet lokale të korrikut 1992.
Viti 1993 do të sillte dhe arrestimin e kryetarit të partisë Nano, i cili do të fillonte që ta udhëhiqte PS nga burgu deri në 1997.
Zgjedhjet e përgjithshme elektorale të majit 1996, si dhe zgjedhjet lokale që pasuan në tetor të po të njëjtit vit i fitoi PD.
PS dhe aleatët e saj PAD e PSD nuk i njohën zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996 dhe bojkotuan. PS i refuzoi mandatet dhe në parlament merrte pjesë vetëm një deputet i saj.
Viti 1997 do të shënonte rënien e skemave piramidale në Shqipëri, dhe për pasojë do të sillte një trazirë politike dhe sociale.
PS do të arrinte që të fitonte zgjedhjet e parakohshme elektorale të qershorit të vitit 1997 dhe do të qëndronte në pushtet për dy legjislatura.
Pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme elektorale të 3 korrikut 2005, Nano dha dorëheqjen dhe brenda PS nisën përgatitjet për zgjedhjen e kryetarit të ri. Nga votimi midis Edi Ramës dhe Rexhep Mejdanit, fitoi Edi Rama.
Era e Edi Ramës dhe e Ilir Metës
Nga viti 2005 deri në vitin 2013, Partia Socialiste do të qëndronte në opozitë. PS do të arrinte të fitonte zgjedhjet e përgjithshme elektorale në 2013 dhe 2017 dhe bashkë me to dhe zgjedhjet lokale në 2015 dhe 2019.
Në shtator të vitit 2004 nga kundërshtarët e Fatos Nanos që lanë PS-në, u krijua Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) nën udhëheqjen e Ilir Metës.
Kjo parti u regjistrua më 6 shtator 2004. Në zgjedhjet e 3 korrikut 2005, LSI arriti që të fitonte 5 mandate deputetësh.
Në vitin 2008 dy partitë politike kryesore PD dhe PS arritën një marrëveshje politike midis tyre për ndryshimin e Kushtetutës, ndërmjet të tjerash duke kaluar nga sistemi miks i votimit në sistemin proporcional rajonal, i cili dukej se kërkonte të shmangte forcimin e partive të vogla të tilla si LSI.
Në zgjedhjet e përgjithshme elektorale të 28 qershorit 2009, LSI arriti që të fitonte 4 deputetë dhe të renditej forcë e tretë politike në vend. Duke qenë se koalicionit fitues të udhëhequr nga Partia Demokratike iu mungonte numri i duhur i deputetëve për krijimin e qeverisë së re, LSI u bë pjesë e kabinetit të ri qeveritar.
Në prill të vitit 2013, dy muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme elektorale të 23 qershorit 2013, LSI do të krijonte një koalicion parazgjedhor me PS. Zgjedhjet do të fitoheshin nga koalicioni i udhëhequr nga PS. LSI do të vazhdonte që të ri-konfirmohej si forcë e tretëme 16 deputetë.
Kryetar LSI-së që nga themelimi ishte Ilir Meta, por me zgjedhjen e këtij të fundit si Presidenti i Shqipërisë në krye të partisë, në prill 2017 u zgjodh Petrit Vasili. Pas zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, me dorëheqjen e Vasilit, kryetare u bë Monika Kryemadhi. Ajo ishte e para femër që drejton një parti politike në Shqipëri.
Edhe gjatë udhëheqjes nga Rama, në PS pati ndarje. Më 2007, PS-ja vendosi t’i përjashtonte gjashtë deputetë që kishin votuar për kandidatin e PD-së për President, Bamir Topin.
Kjo ndarje solli “Partinë Socialiste të Vërtetë ‘91” me në krye ish-ministrin e Brendshëm, Petro Koçi, më 26 shkurt 2009. Pas vitit 2013, Koçi do të pranohej sërish në PS me detyrat që kishte pasur më parë.
Më 17 dhjetor 2010, Gjergj Koja, ish-ministër i Shëndetësisë në qeverinë Nano, pas ndarjes me PS-në krijoi Partinë Socialiste të Moderuar.
Rizgjimi i partive të vogla
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, konkurruan 66 parti politike.
35 parti nga këto kishin marrëveshje parazgjedhore me PS për punësime dhe poste. Kryetari i Partisë Aleanca Arbnore Kombëtare, Gjet Ndoj, ishte koordinator i këtyre partive. Ai u emërua nga Kryeministri Edi Rama drejtor i Arkivit Qendror të Shtetit. Partia që ai drejton mori 3575 vota në ato zgjedhje.
Lista e Barabartë “Libra” u regjistrua në 2016, parti e krijuar nga ish-gazetari dhe më vonë ministër e deputet, Ben Blushi. Nuk ia doli ta fitonte asnjë deputet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, ndonëse mori gati 20 mijë vota. Pas debateve me ish-deputeten Mimoza Hafizi, Blushi u largua nga partia dhe pak më vonë edhe ajo vetë nuk u aktivizua më në këtë parti.
Më 22 maj 2017, pas heqjes së mandatit të deputetit nga Gjykata Kushtetuese, biznesmeni Koço Kokëdhima largohet nga PS dhe krijon partinë “Zgjidhja”.
Republikanët, një histori e gjatë
Më 10 janar 1991 u themelua Partia Republikane (PR) dhe që i përkiste spektrit të djathtë. Grupi nismëtar përbëhej nga Gafur Muço,Vangjush Gambeta dhe Rita Përmeti, por më i njohuri ishte shkrimtarit Sabri Godo, që u zgjodh kryetar. Nënkryetar i kësaj partie në fillimet e saj ishte Zef Bushati, i cili do të ndahej më pas dhe do të bashkohej me Partinë Demokristiane.
Që nga viti 1997, kryetar i Partisë Republikane është Fatmir Mediu, ndërsa president nderi Sabri Godo deri me ndarjen e tij nga jeta në vitin 2011. Suksesin më të madh elektoral, Partia Republikane e pati gjatë zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut 2005 ku arriti që të përfaqësohej me 20 deputetë në Kuvend.
Gjatë zgjedhjeve elektorale 2009, PR fitoi vetëm një mandat deputeti, atë të kryetarit Fatmir Mediu. Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, PR arriti që të fitonte katër mandate deputetësh. Sërish në zgjedhjet 2017, kryetari i PR do të zgjidhej deputet nga listat e PD-së.Aktualisht PR i është bashkuar koalicionit ndërmjet PD dhe LSI për rrëzimin e qeverisë Rama.
Grekët, sa shumë parti krijuan!
Më 11 janar 1991 u krijua Shoqata politike Omonia me emërtimin Bashkimi Demokrat i Minoritetit Kombëtar Grek.
Dispozitat e reja kushtetuese, në verë të vitit 1991, ndaluan ekzistencën e partive me baza etnike dhe fetare dhe kjo gjë çoi në krijimin e PBDNJ në shkurt 1992 me kryetar Vasil Melon. Ajo përfaqëson minoritetet, kryesisht atë grek. Vasil Melo ishte një disident antikomunist dhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 1992, kjo parti fitoi 2.7% të votave duke marrë dy deputetë.
Në vitin 2002, pas vdekjes së Melos, kryetar i PBDNJ zgjidhet Vangjel Dule. Gjatë zgjedhjeve elektorale të vitit 2005, arriti të merrte 2 deputetë, ndërsa në vitin 2009 dhe 2013, PBDNJ kishte vetëm një deputet, megjithëse ishte në koalicion me PS.
Në vitin 2010, si reaksion ndaj afrimit të Vangjel Dules me PS-në, u nda grupi i Omonias me në krye Ziso Llucin. Në 24 mars 2010, në Sarandë u krijua MEGA, partia e Minoritetit Etnik Grek e së Ardhmes, e cila do të zgjidhte kryetar Kristaq Kiçon.
Në 2014, PBDNJ për shkak të konfliktit për reformën territoriale, doli në opozitë duke i larguar përfaqësuesit e saj nga qeverisja me PS-në. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 ajo i bashkoi forcat me PD-në duke fituar dy mandate deputetësh: një në Korçë dhe tjetri në Vlorë. Në aleancë me PD-në, PBDNJ dogji mandatet e deputetëve gjatë vitit 2018 dhe nuk mori pjesë në zgjedhjet vendore të vitit 2019.
Agrarët, parti e vogël që solli shumë pushtetarë
Më 24 Janar 1991 është themeluar Partia Agrare e Shqipërisë (PASH) nga një grup nismëtar i përbërë nga intelektualë të bujqësisë me në krye Mëno Gjolekën. Grupi Nismëtar drejtoi deri më 22 korrik 1991. Konferenca e Parë Kombëtare zgjodhi kryetar të saj Lufter Xhuvelin.
Në 21 Qershor 2003, Kongresi i PASH miratoi ndryshimin e emrit në Partia Agrare Ambientaliste e Shqipërisë (PAA). Ajo ka arritur të përfaqësohet me deputetë në katër legjislatura të Kuvendit. Rezultatet më të mira elektorale i ka arritur në zgjedhjet e vitit 2005, kur u përfaqësua me 4 deputetë dhe në zgjedhjet për pushtetin vendor të vitit 2007 kur arriti të marrë rreth 300 këshilltarë të komunave dhe bashkive, të fitojë 5 kryetarë komunash.
Në 25 Mars 2016, Kryetari i PAA-së Lufter Xhuveli dha dorëheqjen nga kjo detyrë dhe Asambleja e Përgjithshme e PAA zgjodhi kryetar Agron Dukën, ish-ministër i bujqësisë dhe deputet.
Në zgjedhjet e vitit 2017, kryetari i PAA-së, Agron Duka u zgjodh deputet nën siglën e Partisë Demokratike dhe gjatë vitit 2019 ai në koalicion me PD-në dhe LSI-në, firmosi për djegien e mandatit të deputetit.
Demokristianët, parti që krijoi shumë fraksione dhe kryetarë
11 dhjetor 1991, një grup nismëtarësh themeluan në Tiranë Partinë Demokristiane të Shqipërisë. Statuti ishte përpunuar më parë nga Besnik Bardhi, Agim Gjakova dhe Esat Myftari.
27 shkurt 1994, Kongresi i PDK, zgjodhi kryetar Zef Bushatin. Herë pas here në këtë parti ka qenë sekretar ose nënkryetar Kujtim Gjuzi.
12 qershor 1997, Partia Demokristiane nënshkruan marrëveshjen paraelektorale me PD dhe fiton nëzgjedhjet elektorale dy deputetë. Zef Bushati do ta dorëzonte drejtimin dhe do të krijonte një parti të re, Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë, e cila është regjistruar më18 korrik 2000.
Më 27 janar 2002, deputeti Nikollë Lesi merr në dorë drejtimin e Partisë Demokristiane. Kujtim Gjuzi, u zgjodh nënkryetar.
Në vitin 2006, Kongresi i Jashtëzakonshëm i demokristianëve realizon stafetën e postit të kryetarit nga Nikoll Lesi tek Nard Ndoka.
Në vitin 2007, Lesi largohet nga kjo parti dhe krijon Partinë Lidhja Demokristiane.
Partia Demokristiane e Nard Ndokës, Partia Kristiandemokrate e Mark Frrokut, Partia Lidhja Demokristiane e Nikoll Lesit dhe Aleanca Demokristiane e Zef Bushatit bën tentativa pa sukses për t’u bashkuar pas zgjedhjeve të vitit 2013.
Në fundin e vitit 2015,me futjen në burg të kryetarit Frroku, partia Kristiandemokrate ndryshoi zyrtarisht kryetarin, duke zgjedhur në drejtim avokatin Dhimitër Muslia, ish-kryetar i kësaj partie para vitit 2013. Gjatë fillimit të vitit 2016, PDK dhe PBKD ranë dakord për shkrirje midis tyre, por procesi i nisur nuk u jetësua deri në fund.
Nga Gjinushi tek Tom Doshi, era e re në PSD
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë (PSD) u krijua në 23 prill të vitit 1991, dhe u bë anëtare Internacionales Socialiste në vitin 1992. Që në fillimet e saj, kryetar i PSD ishte Skënder Gjinushi, që kishte shërbyer si Ministër i Arsimit përgjatë viteve 1987 – 1991. Megjithëse PSD i kontestoi zgjedhjet e vitit 1992, ajo arriti që të fitonte shtatë vende në parlamentin e legjislaturës midis viteve 1992- 1996.
PSD vendosi që të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 26 majit 1996 dhe kontestoi organizimin e tyre së bashku me Partinë Socialiste dhe parti të tjera opozitare.
Në zgjedhjet e parakohshme të qershorit 1997, PSD arriti që të fitonte 9 vende në parlament.
Në gusht të vitit 1999, pati debate brenda PSD, të cilat sollën krijimin e një fraksioni të udhëhequr nga Gaqo Apostoli, i cili më pas krijoi një parti tjetër më vete, Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet.
Në zgjedhjet elektorale të vitit 2001, Partia Socialdemokrate u reduktua në katër mandate deputetësh.
Nga PSD më vonë u nda edhe ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo. Ai është themelues i Partia Demokracia Sociale në vitin 2003.
Zgjedhjet e vitit 2005 sollën sërish një rritje të elektoratit të saj, të favorizuar koalicioni me Partinë Socialiste, gjë që solli që ajo të fitonte sërish shtatë vende në parlament.
Në vitin 2009, PSD mori pak vota në nivel kombëtar dhe nuk mundi që të përfaqësohej në parlament. Po ashtu dhe gjatë zgjedhjeve të vitit 2013. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, Partia Socialdemokrate arriti që të fitonte vetëm një mandat deputeti.
Ndërkohë, kryetari historik i saj Skënder Gjinushi u zgjodh kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe dha dorëheqjen nga PSD në qershor të vitit 2019. Ai u zëvendësua nga Ëngjëll Bejtaj.
KQZ miratoi regjistrimin si subjekt politik në zgjedhjet e 25 prillit të Partisë Social-Demokrate. Ajo që ra në sy ishte që në vetëm tre ditë, KQZ-së iu dorëzuan dy kërkesa të ndryshme për regjistrim, e para e datës 9 shkurt ku kryetar i partisë ishte Tom Doshi, dhe ajo e datës 12 shkurt ku kryetar figuron Engjëll Bejtaj.
Sjellim në vëmendje që Tom Doshi depozitoi më 9 shkurt kërkesën për regjistrim të PSD-së në zgjedhje, që u pa si “sfidë” ndaj ambasadës amerikane.
Një ditë më herët Yuri Kim përmes një postimi në “Tëitter” u rikujtonte qytetarëve vendimin e DASH që futi Doshin në “listën e zezë” duke theksuar se shqiptarët meritojnë më shumë. Engjëll Bejtaj kryetari në detyrë i PSD-së tha, se në fakt Tom Doshi është kryetar i kësaj partie pasi ai me vendim gjykate më 4 shkurt 2021 është njohur si i tillë, por vendimi i gjykatës nuk është publikuar ende në fletoren zyrtare pasi kërkon 2 javë. Për këtë arsye tha Bejtaj në KQZ partia u regjistrua në emër të tij.
Partitë e vogla që dolë nga PPSH
Më 15 mars 1991 u krijua partia e Unitetit Kombëtar një parti nacionaliste, kishte kryetar Idajet Beqirin. Kjo parti ka qenë vazhdimisht aleate e PS-së dhe ka marrë pjesë në zgjedhje rregullisht, duke arritur rezultate modeste.
Partia Komuniste e Shqipërisë u formua më 1991 si një nëndalje e Partisë së Punës, nga Hysni Milloshi, por u nxor jashtë ligjit më 1992. Pas viteve 2000, HysniMilloshi e rikrijoi PKSH-në, ku u zgjodh Sekretar i Parë i saj. Në zgjedhjet e vitit 2003 e 2007 PKSH ka përkrahur PS-në dhe kandidatët e saj.
Por në vitin 2011, PKSH dëbohet nga koalicioni i majtë i PS-së, ndaj në zgjedhjet vendore PKSH vendos të kandidojë e vetme duke nxjerrë kandidatin e tretë për Tiranën, Hysni Milloshin, përballë Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Në këto zgjedhje Milloshi mori 1394 vota dhe ishte faktor për humbjen e kandidatit të majtë.
Më 3 prill 2003 u regjistrua Partia Komuniste e Shqipërisë 8 Nëntori me kryetar Pren Çuni.
Si vazhduese të PPSH lindën edhe Partia e Punës e Shqipërisë (E Re) lider i saj është Xhevdet Pataj, Partia e Punës së Shqipërisë e Riorganizuar është parti politike në Shqipëri që u krijua më 4 korrik 2007, i përket spektrit politik të qendrës së majtë. Sekretari i Parë i PPSHr-së është Marko Dajti. 14 korrik 2014 u regjistrua ndryshimi i emrit të kësaj partë në Partia Fronti i Majtë.
Partia e Punës e Shqipërisë PPSH u rikrijua nga Muharrem Xhafa më 16 maj 2013
Legalistët, një përrallë me mbret
Mbas shumë kërkesash ligjore, pasi kthimi i monarkisë ishte e ndaluar me Kushtetutë, më 20 shkurt 1992, u miratua Partia “Lëvizja e Legalitetit”. Ajo ishte vazhdim i partisë historike të krijuar në mërgim. Kryetar i komisionit të përkohshëm organizativ ishte Ibrahim Sokoli. Kongresi i saj më 30 maj 1993, zgjodhi kryetar Guri Durollarin, i ardhur si propozim nga Oborri Mbretëror.Në zgjedhjet e 26 majit 1996, Legaliteti pati rezultate modeste.
Në kohën e trazirave të vitit 1997 erdhi Mbreti Leka I në atdhe dhe zhvilloi fushatën për referendumin për kthimin e monarkisë në Shqipëri. Në zgjedhjet e 29 qershorit 1997, PLL për herë të parë merr dy deputetë, Guri Durollari e Spartak Ngjela. Legalistët pretendonin se rezultatet e referendumit u manipuluan dhe protestuan duke sulmuar në atë kohë KQZ-në.
Më 12 korrik, Mbreti Leka I dhe një pjesë e stafit të tij largohet nga Shqipëria.Në PLL kishte debate të vazhdueshme, të cilat kulmuan me thirrjen e një Kongresi të Jashtëzakonshëm, më 12 prill 1998. Në këtë kongres konkurruan 5 kandidatë:Ekrem Spahiu, Bahri Kollçaku, Spartak Ngjela, Sadedin Balla e Murat Basha. Në fund të votimit, fitues u shpall Ekrem Spahiu.
Më 1998 kryetari i PLL, Spahiu u arrestua nën akuzën e organizimit kryengritje së14 shtator 1998, pas vrasjes së deputetit Azem Hajdari. Spahiu do të qëndrojë i burgosur për 13 muaj.
Në zgjedhjet parlamentare të 24 qershorit 2001, Spahiu arrin të fitojë mandatin e deputetit, bashkë me 4 anëtarë të PLL. Kësisoj, për herë të parë, Legaliteti arrin të krijojë një grup parlamentar të vetin.Si arritje e kësaj partie shënohet kthimi përfundimtar i Familjes Mbretërore në atdhe, më 29 qershor 2002.
Në zgjedhjet e 3 korrikut 2005 shënuan një rënie të profilit politik të Legalitetit, për shkak të daljes në skenë të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar. Ekrem Spahiu u zëvendësua nga 24 Nëntor 2013 nga Sulejman Gjana.
Ballistët nuk e kthyen dot lavdinë e humbur në luftë
Më 23 dhjetor 1989 u themelua Balli Kombëtar në Paris, si vazhdim i partisë historike me të njëjtin emër. Themelues ishte Abaz Ermenji. Në Shqipëri, një vit më pas u organizua dhe u regjistrua kjo parti dhe kryetar ekzekutiv ka pasur Hysen Selfon.
Në vitin 1996, Balli mori 5% të votave elektorale, 2 deputetë, 1 kryetar bashkie në Shkodër, 3 kryetarë komunash dhe 177 këshilltarë.
Ardhja e liderit të asaj kohe, Abas Ermenji në Tiranë, në tetor të vitit 1995, solli krijimin e DBSH-së (E Djathta e Bashkuar Shqiptare).
Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1997, Balli përfaqësohej DBSH-ja; por mori vetëm 30. 000 vota.
Këtë kohë nisi krisja mes krahut të Abas Ermenjit (mbështetësit e DBSh-së) dhe nga ana tjetër krahu i HysenSelfos (që nuk pajtohej me këtë aleancë).
Në kongresin e vitit 1998 ndodhi ndarja e ballistëve dhe lindi ideja e krijimit të Partisë Balli Kombëtar Demokrat. Ajo është regjistruar më date 13 prill 2005 dhe ka kryetar Artur Roshin.
Më 1997, Dashamir Shehi, u largua nga Partia Demokratike, pas një promemorie, ku ai propozoi dorëheqjen e qeverisë. Ai angazhohet në formacionin politik “E djathta e bashkuar”, ku ishin pjesëtare disa parti. Pasi ky formacion nuk pati jetë të gjatë, më 2001 u bë pjesë e Partisë Demokrate të Re.
Më 17 korrik 2002, Shehi bëhet kryetar i Partisë Demokratike të Rinovuar, e cila me vonë gjatë vitit 2004 ndërron emrin në Lëvizja për Zhvillim Kombëtar (LZHK), e udhëhequr trashëgimtari i fronit. Më 2005 kryetar ekzekutiv i LZHK-së, Leka largohet nga ky formacion dhe drejtimin e ka mbajtur Dashamir Shehi.
Çamet me axhendë politike
Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) u krijua më 17 shkurt 2011 si një bashkim midis dy partive politike: Partisë për Drejtësi dhe Integrim të udhëhequr nga Shpëtim Idrizi dhe Partisë për Drejtësi dhe Unitet e udhëhequr nga Tahir Muhedini. Kryetar i kësaj partie u zgjodh Shpëtim Idrizi ndërsa Tahir Muhedini ish-kryetari i PDU, është president nderi. Historia e PDIU-së fillon me themelimin e shoqatës ‘Çamëria’ në fillim të viteve 1990-të dhe me mobilizimin e anëtarëve të komuniteti ‘çam’ të dëbuar nga Greqia përgjatë viteve 1920-1945.
Pas vitit 2011, PDIU është transformuar në një parti politike nacionaliste me një axhendë politike.
Përgjatë zgjedhjeve të vitit 2013 u përfaqësuan me katër deputetë dhe tre deputetë gjatë vitit 2017. PDIU gjatë zgjedhjeve të vitit 2013 bëri koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike, duke refuzuar ftesën e Partisë Socialiste.
PDIU u bë pjesë e koalicionit parazgjedhor të drejtuar nga Partia Socialiste epër zgjedhjet vendore më 21 qershor 2015. Në fund të vitit 2018, PDIU iu bashkua sërish koalicionit të partive të djathta të drejtuar nga PD.
Më 8 mars 2011, Kreshnik Spahiu largohet nga PD krijon Aleancën Kuqezi. Ai u nda me PD-në pas shkarkimit nga detyra si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësi së.
Në 2016 u krijua një parti e re Sfida për Shqipërinë, e drejtuar nga ish-kandidati i pavarur për bashkinë Tiranë (2015) Gjergj Bojaxhi.
“Djegia” e mandateve dhe rizgjimi i rolit të partive të vogla
Pas daljes së partive të opozitës nga parlamenti më 2019 dhe zëvendësimit të mandateve me deputetë nga listat e saj u krijuan disa parti të reja ose dolën në dritë parti të vjetra që nuk kishin pasur më parë mandate përfaqësimi.
Deputetja e PD-së, Rudina Hajdari, iu bashkua partisë Nisma Thurja, e cila shpalli krijimin në nëntor 2020. Kujtim Gjuzi është kryetar i Partisë Konservatare, i cili u bë deputet nga listat e opozitës. Po ashtu, Kostaq Papa, kryetar i Partisë së Emigracionit Shqiptar, Zef Shtjefni, kryetar i Partisë Ora, Koçi Tahiri, kryetari i Partisë Demokracia e Re Europiane, Selami Jenishehri, kryetari i Partisë Bashkimi Popullor i Pensionistëve të Shqipërisë, Vasil Sterjovski, kryetari i Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, AMIE. Deputeti Andi Përmeti, i dalë nga listat e opozitës, do të bashkëngjitej partisë “Bindja Demokratike”, që doli nga gjiri i PD-së.
Ndërkaq, deputetët Myslym Murrizi, Alban Zeneli, Halit Valteri dhe Arlind Çaçani regjistruan partinë e tyre në Gjykatë me 19 tetor 2020. Partia do të quhet Lëvizja Demokratike Shqiptare.
Me emrin Lëvizja Për ndryshim është partia e re e krijuar në nëntor 2020, atë e drejton ish-nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli.
Tre koalicione dhe 23 parti
Në zgjedhjet e 25 prillit 2021 do të jenë tre koalicione që do të garojnë me një listë të unifikuar, pasi dorëzuan kërkesën në Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Partia “Bindja Demokratike” e Astrit Patozit dhe “Lëvizja për Ndryshim” e Jozefina Topallit kanë zgjedhur të dalin më vete në zgjedhje, pavarësisht se më herët kishin deklaruar se do të bashkoheshin në një koalicion.
Tre koalicione dhe 23 parti, ky pritet të jetë konfigurimi i fletës së votimit në zgjedhjet e 25 prillit. Partia Demokratike, përmes zëdhënësit të saj për çështjet zgjedhore, Ivi Kaso dërgoi kërkesën për të regjistruar koalicionin e saj me 13 parti që do të quhet “Aleanca për Ndryshim”. Pjesë e koalicionit të udhëhequr nga PD-ja do të jetë edhe FRD-ja e drejtuar nga ish-presidenti Bamir Topi, që deri në zgjedhjet e 2017-ës ka qenë në koalicion me Partinë Socialiste. Topi nuk ishte dakord me këtë aleancë. Pas firmosjes së marrëveshjes për koalicion me PD-në nga Sali Shehi, kryetari Topi dha dorëheqje nga posti i tij.
Sakaq, janë regjistruar në KQZ edhe dy koalicione të tjera. Kërkesën në KQZ ka çuar edhe koalicioni “AOKBPEK” i përbërë nga 4 parti që drejtohen nga deputetë që pranuan mandatet në vitin 2019.
Ai përbëhet nga partitë e Zef Shtjefnit, Selami Jenisherit, Kostaq Papa dhe Kujtim Gjuzi.
Koalicion i tyre e ka titullin: “Aleanca Ora Kombëtare – Emigracioni – Bashkimi Popullor dhe Konservatorët”.
Koalcioni tjetër është subjekti zgjedhor mban titullin “Aleanca” dhe partitë që e formuan janë: Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane; Partia me Aftësi të Kufizuara të Shqipërisë; Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare; Partia e Reformave Demokratike Shqiptare; Aleanca Demokratike Shqiptare; Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet; Partia për Mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve.
“Aleanca” përbëhet nga tetë parti, të cilat në zgjedhjet e mëparshme kanë qenë bashkë me Partinë Socialiste./revista.one/