Kuvendi, çështja kryesore shkarkimi i Presidentit Meta, sot ngrihet Komisioni Hetimor
May 7, 2021 0Kuvendi do te diskutoje sot për ngritjen e Komisionit Hetimor pas kërkesës së 49 deputetëve për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.
Komisioni i Ligjeve miratoi dje me 14 vota pro dhe 1 kundër, raportin qe do i dërgohet sot seancës plenare. Aty argumentohet se kërkesa për shkarkimin e Metës është legjitime e bazuar në prova.
Në këtë seancë të ‘Ligjeve’ do duhej të zhvillohej seanca dëgjimore me kreun e shtetit. Ky i fundit ka refuzuar sërish, duke thënë se ka një axhendë të zënë që nuk mund ta shkelë, dhe se është i gatshëm vetëm në datën 10 maj.
Komisioni i Ligjeve mbështeti dhe gjeti të bazuar kërkesën e 49 deputetëve, të cilët kërkojnë shkarkimin e Metës. Sipas tyre Meta ka shkelur rëndë Kushtetutën me angazhimin e hapur në fushatë në krah të opozitës.
Në raportin për ngritjen e komisionit hetimor, thuhet se Ilir Meta, me deklaratat dhe mesazhet e tij ka cenuar rëndë të drejtat kushtetuese të individëve. Po ashtu, eshte cenuar imazhi dhe reputacioni i vendit, si dhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë të Shqipërisë, me Bashkimin Evropian dhe me ShBA. Gjithashtu thuhet se Ilir Meta, para dhe gjatë zgjedhjeve, ka nxitur dhunë, urrejtje, ndasi si dhe vetëgjyqësi.
Sipas raportit, Meta ka shkelur edhe formulën e betimi si President. Kur mori detyrën, Meta u betua me dorën mbi Kushtetutë se do t’u qëndrojë besnik parimeve kushtetuese. Theksohet se sjelljet dhe në mesazhet e tij publike janë në kundërshtim me parimin e unitetit të popullit.
Data 9 maj është afati fundit për ngritjen e komisionit hetimor. Pas këtij afati komisioni është nul, pasi duhet të miratohet 4 muaj para mbarimit të mandatit të Parlamentit. Pikërisht për të djegur këtë afat, Ilir Meta kërkoi që të paraqitej për t’u dëgjuar në Komisionin e Ligjeve në datën 10 maj 2021.