Lezhë/ Rapsodët në kishën e Kuvendit të Arbrit, koncert bamirësie për restaurimin
August 17, 2022Rapsodë nga Shqipëria e Kosova bëhen bashkë në kishën e Shën Gjon Kryepremit, ku u mbajt Kuvendi i Arbrit, plot 319 vite më parë. Që vendi i shenjtë i asaj ngjarje historike e fetare të kthehet në një pikë atraksioni për turistët e të ruhet si vlerë e çmuar e trashëgimisë sonë në ambientet e saj u mbajt një koncert bamirësie.
Restaurimi i kishës mesjetare së ndodhur në Mërqi të Kallmetit ka nisur, por për ta përmbushur atë, në mungesë të ndihmës nga institucionet shtetërore, nevojiten të nxiten shkëndija humanizmi.
“Jam këtu për të sensibilizuar mbarë opinionin publik që të japë një kontribut sadopak modest për përfundimin e restaurimit të kishës”, thotë “Mjeshtri i madh”, rapsodi Gjon Frroku.
Ndërkaq, emrat e besimtarëve mbushin radhët e fletoreve për bamirësinë e tyre, që kisha të marrë pamjen e saj më të mirë.
“Kemi dashur që ta mbajmë këtë takim sensibilizues pasi që kemi filluar punimet që në prag të muajit maj… Këtu janë mbledhur burrat që kanë filluar të shkruajnë për herë të parë në gjuhën e mirëfilltë shqipe, këtu është përmend së pari herë emri shqiptar”, rrëfen studiuesi Dom Nik Ukgjini.
Objekti i shenjtë përmendet për herë të parë në vitin 1629, e mendohet të jetë ndërtuar nga austriakët. Restaurimi i saj përfshin fazën e rehabilitimit, meremetimit të qelës dhe krijimin e një parku artistik në oborrin e kishës që simbolizon Kuvendin e Arbrit.