Luizi u doli në mbrojtje protestuesve, i anulojnë emisionin? Në vend të tij, Grida Duma

Luizi u doli në mbrojtje protestuesve, i anulojnë emisionin? Në vend të tij, Grida Duma

October 16, 2026 0

Vetëm dy javë pas nisjes së spektaklit të tij të ri televiziv, Luiz Ejlli do të mungojë mbrëmjen e sotme në ekranin e Top Channel.

Zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe protestat që kanë përfshirë vendin kanë sjellë ndryshime në programacionin e televizionit, duke bërë që emisioni “Live me Luizin” të mos transmetohet këtë të premte.

Artisti ka reaguar përmes një postimi në Instagram, ku ka ndarë qëndrimin e tij lidhur me mënyrën se si institucionet duhet t’i trajtojnë qytetarët, veçanërisht në momentet kur ata shprehin pakënaqësitë e tyre.

“Një shtet matet nga mënyra se si i trajton njerëzit kur ata nuk pajtohen me të. Populli nuk duhet të ketë frikë nga ata që paguhen për ta mbrojtur”, ka shkruar Luizi.

Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi zyrtar, ku sqarohet se vendimi është marrë për shkak të rëndësisë së zhvillimeve të fundit për interesin publik.

Në vend të spektaklit argëtues, Top Channel do të transmetojë një edicion special të “Top Story” me Grida Dumën, kushtuar ngjarjeve aktuale dhe analizës së situatës në Shqipëri.

Ndjekesit e kane komentuar njoftimin duke pershendetur qendrimin e Luizit perkrah studenteve. Në reagimin e tij, këngëtari është ndalur edhe te gjendja e të rinjve dhe dhimbja e atyre që kërkojnë drejtësi, duke përcjellë një mesazh përmes të cilit ka vënë në pah rëndësinë e dëgjimit të zërit të studentëve.

“Nuk ka britmë më të dhimbshme se sa ajo e një studenti që kërkon drejtësi dhe përfundon duke kërkuar mëshirë”, është shprehur ai.

Protesta e organizuar më 13 tetor kishte në fokus shqetësimet për kushtet në universitete dhe të ardhmen e të rinjve.

Gjatë saj u regjistruan përplasje, dëmtime të institucioneve dhe persona të lënduar.

Kujtojme se Luizi në mesazhit të tij, u është drejtuar personave të lënduar dhe familjeve të tyre, duke shprehur solidaritet dhe duke kërkuar që ajo që ndodhi të mos harrohet.

“Lutem Zotit që t’i japi forcë atyre që sot po qajnë, t’i shërohen plagët atyre që janë lënduar dhe të mos lejojë që dhimbja e tyre të harrohet nesër”, ka përfunduar këngëtari. 

“Live me Luizin” nisi transmetimin më 2 tetor, duke shënuar një kapitull të ri në karrierën e fituesit të “Big Brother VIP Albania 2”, këtë herë në rolin e moderatorit.

Në premierën e tij, Luizi mirëpriti emra të njohur si Alketa Vejsiu, Eli Fara, Manjola Nallbani, Sinan Vllasaliu dhe Gjergj Leka, ndërsa formati ndërthur intervistat, muzikën dhe humorin.

Edicioni i dytë, i transmetuar më 9 tetor, solli të tjera momente të komentuara, mes tyre rrëfimin e Albërie Hadërgjonajt dhe ribashkimin e aktorëve të komedisë së njohur shqiptare “Pallati 176”.

Megjithatë, ndërprerja e kësaj jave është e përkohshme.

Sipas njoftimit zyrtar, “Live me Luizin” do t’i rikthehet transmetimit javën e ardhshme, në Top Channel.

revista.one/