“Ma ndërruan fëmijën në maternitet, donin ta shisnin”, çifti tregon tmerrin e përjetuar
April 29, 2021Ngjarja e tmerrshne në një maternitet të Athinës u rrëfye nga një çift në emisionin “Rudina” në Tv Klan. Të martuar prej gati 25 vitesh, historia e tyre nis që në moshë të vogël, në çerdhe. Përveçse bashkëshortë ata janë dhe bashkëpunëtorë. Së bashku drejtojnë biznesin e tyre të parukeve.
Bëhet fjalë për Uljanova dhe Gëzim Çalin. Ata kanë treguar edhe historinë më të lumtur dhe të dhimbshme në të njëjtën kohë, kur lindën djalin e tyre. Dikur ata jetonin në Greqi dhe punonin në Mykonos. Kur erdhi koha që Nova të lindte, në këtë ishull nuk kishte maternitet. Pronarja e saj e çon në Athinë. E lindi me operacion dhe më pas i sollën një vajzë në vend të djalit që kishte lindur.
Nova:Ishte gëzim i madh, por mua më ndryshuan fëmijën fatkeqësisht. Ishte qëllimisht sepse unë nuk kisha letra. Më plasën ujërat, shkoj urgjent dhe mbaj mend që doktori më thotë zgjohu se ke bërë një djalë të bukur, një bjond të bukur. Kaq mbaj mend sepse të jesh në narkozë është pak e vështirë. Kur je si përgjumësh, nuk e ke situatën në dorë. Më çojnë në dhomë dhe pres fëmijën nga momenti në moment siç e marrin të gjithë nënat për ta ushqyer. Kishin kaluar dy ditë dhe fëmijën nuk ma sillnin.
Thërras infermieren dhe i them po pres fëmijën. Më thotë prit derisa të ta sjellin. I thashë ka dy ditë që nuk po më vjen djali, më thotë ti ke bërë vajzë dhe jo djalë. I thashë unë vërtet kam bërë operacion, por mbaj mend që unë kam bërë djalë dhe jo vajzë. Më sjellin vajzën me një kordele rozë, e shikoj që në kordele i kishin vendosur mbiemrin dhe më pas emrin. Emri dhe mbiemri ishte i saktë. Faktikisht fëmija ishte nga Etiopia, ishe me ngjyrë. Nënë si për herë të parë, thoja pse kaq i zi, pse ajo hunda e shtypur. Pastaj thashë dale çfarë po pres, unë kam bërë djalë. Kjo ndodhi sepse isha pa dokumente.
Gëzim Çali: Etiopianes i kishin thënë që i kishte vdekur fëmija. Mbase çifti që donte të blinte fëmijën, sepse ndodhte në atë spital, kishin dëgjuar shumë raste që ishte bërë tregti. Fëmijën e etiopianes na i japin ne dhe fëmija jonë nuk del fare në skenë.
Nova: Pronarja e bëri publike, tha unë do sjell televizionet. Urgjentisht nxirrni fëmijën sepse ditën që ka lindur Nova unë kam qenë prezente këtu me familjen time. Ju nuk mund ta hidhni poshtë këtë dhe s’ka arsye që ju ta mbuloni këtë pjesë. Këtu përfiton dhe gruaja nga Etiopia, ajo kishte kërkuar trupin e fëmijës që ta merrte. Nuk harroj kur vjen dhe më puth duart dhe thotë ishte ti që kërkove fëmijën që përfitova dhe unë fëmijën tim.
Gëzim Çali: Ishte fati jonë që fëmija nuk kishte dalë akoma nga spitali sepse nëse do e hiqnin nga spitali ne nuk do e gjenim më kurrë. / Tvklan.al/