Majlinda largohet e dëshpëruar nga arena e Lojërave të Tokios

Majlinda largohet e dëshpëruar nga arena e Lojërave të Tokios

July 25, 2021 0

Kampionia e “Rio 2016”, Majlinda Kelmendi, ka humbur në ndeshjen e parë dhe është eliminuar nga Lojërat Olimpike.

Të dielën, në “Nippon Budokan”, xhudistja jonë ka garuar në kategorinë deri 52 kilogramë, ku ka pësuar një humbje shokuese nga hungarezja Reka Pupp.

Kjo ishte befasia e madhe e xhudos deri tani. Të gjithë kanë pritur së paku medaljen e bronztë nga Majlinda.

Ajo e ka përjetuar rëndë humbjen çka është pare teksa po largohej nga arena.

Majlinda Kelmendi erdhi në Tokio, si fituese e medjales së artë olimpike në Rio 2016, duke synuar të përsërisë suksesin.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se xhudistja Majlinda Kelmendi për ne do të mbetet kampione olimpike e përhershme.

Osmani në një postim në Facebook ka shkruar se Majlinda është ajo që i dha Kosovës shkëlqimin e saj të parë.

Presidentja e cila këto ditë po qëndron në Tokio për të përcjellë nga afër atletët e Kosovës në Lojërat Oplimike, ka theksuar se Majlinda i solli Kosovës respekt më shumë se çdokush tjetër.

“Ajo i dha motiv çdo fëmije, çdo të riu, e mbi të gjitha çdo vajze, për të luftuar për ëndërrat e veta e për t’u ringritur gjithnjë pavarësisht sfidave.
Faleminderit kampione, për këto e shumëçka tjetër. Sepse ajo çfarë ke bërë ti për Kosovën tejkalon çdo medalje. Pavarësisht rezultatit të sotëm, ti tashmë ke realizuar ëndrrën e një populli të tërë”, ka shkruar Osmani.

Presidentja ka shtuar se “Por jo vetëm falënderim Majlindë. Me ty jemi të gjithë, e arta jonë. Majlinda është Kosova!”

revista.one/