Marco Mengoni mbretëron në Sanremo 2023,  Ana Oxa dhe Iljard Shaba na bënë krenar!

Marco Mengoni mbretëron në Sanremo 2023, Ana Oxa dhe Iljard Shaba na bënë krenar!

February 12, 2023 0

Sanremo 2023 u mbyll dhe fituesi i edicionit të 73-të të festivalit të rëndësishëm të muzikës italiane është Marco Mengoni me këngën “Due Vite” (Dy jetë).

Ky ishte dekretimi i fitores pasi 34-vjeçari dukej që në fillim i favorizuar e kryesoi renditjen e përgjithshme që prej fillimit. Pesëshen e më të mirëve e plotësuan Lazza, Mr.Rain, Ultimo e Tananai, me numrin më të lartë të votave. Dukshëm i emocionuar dhe i përlotur, Mengoni tha se fitoren ia kushton të gjitha artisteve që morën pjesë në festival.

“Jemi pesë djem që arritëm finalen ndaj mendoj se është e drejtë t’ia kushtoj artisteve që sollën krijime të mrekullueshme në këtë skenë”, tha fituesi.

Emocione e duatrokitje të gjata në sallë për performancat e legjendave të këngës italiane Gino Paoli e Ornella Vanoni, si edhe për Depeche Mode.

Me Çmimin e Kritikës “Mia Martini” u vlerësua Colapesce Dimartino për “Splash”. Çmimi “Sergio Bardotti” për tekstin më të mirë shkoi për Coma_Cose dhe  “L’addio”.

Një mendim edhe për Ukrainën, prej rreth një viti nën pushtimin rus, agresion që ka shkaktuar mijëra viktima e miliona të zhvendosur, krahas shkatërrimeve të mëdha në infrastrukturë. Prezantuesi Amadeus lexoi letrën që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i dërgoi pjesëmarrësve.

“Me siguri që Ukraina do ta fitojë këtë luftë. Do ta fitojë bashkë me botën e lirë. Do të fitojë falë zërit të lirisë, të demokracisë e sigurisht, të kulturës. Jam i bindur se një ditë, të gjithë bashkë do të dëgjojmë këngën tonë të fitores”.

Ndërkohë, nuk mund të kalonte pa provokime mbrëmja finale e Festivalit të Sanremos 2023 në Italinë fqinje dhe për këtë mendoi Rosa Chemical. Nga skena iu drejtua radhës së parë ku mori Fedezin, dukshëm i sikletosur dhe me të u rikthye në skenë. E përqafoi e më pas i dha një puthje pasionante në buzë.

Ndërkohë, Këngëtarja shqiptare me famë në Itali, Anna Oxa, i është rikthyer konkurrimit në festivalin e ‘Sanremos’ pas 12 viteve.

Ajo performoi në natën e parë këngën e saj konkurruese me titull “Sali”, e cila është pritur jashtëzakonisht mirë nga publiku italian.

Në natën e tretë të festivalit, e cila njihet si nata e rikthimit të këngëve tradicionale, Anna Oca nuk mbeti e vetmja shqiptare në skenën e madhe të ‘Sanremos’.

Kjo pasi ajo kishte ftuar për ta shoqëruar në këngë violonçelistin e njohur shqiptar, Iljard Shaba.

Dyshja kanë interpretuar së bashku këngën e famshme të Anna Oxës, “Un’emozione da poco”, me të cilin dikur këngëtarja me origjinë nga Kruja ishte prezantuar në festivalin e famshëm italian, në vitin 1978.

Performanca e dy artistëve shqiptarë është pritur jashtëzakonisht mirë dhe me duartrokitje të ngrohta nga publiku italian.

Iljard Shaba është një artist i cili krenohet me një karrierë dhjetëvjeçare si DJ dhe në moshën 16-vjeçare filloi të luante violonçel. Një muzikant i zhanrit ‘eletronic’ që kalon nga muzika klasike në xhaz, në muzikë latine, e deri në këngë popullore.

Anna Oxa performoji edhe mbrëmë në natën finale të ‘Sanremo 2023’, ku nuk arriti të jetë e përzgjedhur nga publiku dhe juria, në pesëshen e më të mirëve.

revista.one/