Mozaiku Orfeu i Durrësit, simboli i hershëm i Krishtit mbahet kyçur në një bodrum shtëpie private

Mozaiku Orfeu i Durrësit, simboli i hershëm i Krishtit mbahet kyçur në një bodrum shtëpie private

August 22, 2022 0

Katër studiues shqiptarë marrin pjesë në Kongresin e 24-tërt të studimeve Bizantine. Lida Miraj prezanton në Venecia “Mitin e Orfeut” e ndalet tek Mozaiku i tij në Durrës. Ajo rrëfen vlerat e rralla të mozaikut, se si u zbulua në 88-ën nga studiuesi Moikom Zeqo, dhe bën thirrje që shteti të marrë masa për ta bërë të vizitueshëm.

Ky mozaik është zbuluar vetëm pjesërisht në vitin 1988, në bodrumin e një shtëpie. Gërmimet arkeologjike kanë nxjerre në pah vetëm një pjesë të kësaj vepre që paraqet figurën e Orfeut, rrethuar me motive bimore dhe gjeometrike. Ky është vlerësuar si një vepër me vlera të rralla për nga pasuria e figurave dhe realizimi i tij. Mozaiku i përket shekullit II pas Krishtit.

“Bizanti- si ura mes botëve”… pas dy viteve me pengesë pandeminë, mbahet nga kjo e hënë për 6 ditë radhazi Kongresi i 24-tërt Ndërkombëtar i Studimeve Bizantine në Venecia e Padova.

Prej Shqipërisë, studiuesit janë katër. Eduart Shehi referon për familjet mesjetare në Durrës ndërsa Sokol Çunga e Andi Rembeci për kodikët palaiologë në vendin tonë, duke u përqendruar tek Arti e Kultura e Librit. Arkitekte e studiuese e arkeologjisë, Lida Miraj, prezanton temën “Miti i Orfeut/Bariu i Mirë në periudhën e hershme të krishterë dhe mozaiku i Orfeut në Durrës”.

Monument i trashëgimisë  i zbuluar në vitin 1988, në bodrumin e një shtëpie private në Durrës daton në shekullin II pas Krishtit.

Por, ndonëse kanë kaluar mbi 3 dekada “Orfeu” i Lagjes së re të Durrësit mbetet ende i kyçur.

I realizuar me gurë kubikë polikrom e me një larmishmëri ngjyrash ku bie në sy e kuqja, Miraj thotë se “Orfeu” i Durrësit si personifikim i figurës së Krishtit ka vlera të rralla e institucionet duhet të hartojnë një plan konkret që ai të jetë i mirëmbajtur e i vizitueshëm. /Report TV/