Nik Xhelilaj në rolin e Vezirit të Madh në “Ngritja e Perandorisë Otomane II” të Netflix

Nik Xhelilaj në rolin e Vezirit të Madh në “Ngritja e Perandorisë Otomane II” të Netflix

January 20, 2023 0

Aktori shqiptar Nik Xhelilaj vitin e kaluar u bë pjesë e serialit të njohur turk, “Rise of Empires: Ottoman II”, i cili është pjesë e platformës më gjigante të transmetimit të filmave në botë, Netflix.

Nikut i është besuar një rol i rëndësishëm në këtë serial, përkatësisht ai i kryeministrit – e që në Perandorinë Osmani njihej si ‘Veziri i Madh’.

Ai tha për Telegrafin se eksperienca në këtë serial i ka shkuar si mos më mirë dhe i vjen mirë që pati rastin të bëhej pjesë e këtij projekti me motive historike.

“Por siç thonë turqit, Mashallah – nuk është keq. Ajo ishte një tjetër eksperiencë e mirë. Ne xhiruam vjet nga fundi i vitit 2021 dhe fillimi i vitit 2022. U bë mbarë sonte që të dilte në transmetim – reagimet janë shumë pozitive. Është një tjetër eksperiencë, sigurisht edhe kasti i aktorëve dhe produksioni, unë në anën tjetër kam qejf pak këto produksionet historike, kështu që duket sikur po shkojnë gjërat mirë, në rrugë pozitive”, theksoi Xhelilaj.

Duke qenë se është kinematografia e tretë që e sprovon veten, pas asaj shqiptare dhe gjermane, Niku u shpreh se sigurisht që lëvrimi nëpër gjuhë e kultura të ndryshme ka qenë sfidë më vete.

“Po gjuha mbetet gjithmonë njëlloj, problematike për ne aktorët. Se nuk e kemi të thjeshtë siç e kanë sportistët apo këngëtarët, të cilët e tregojnë talentin e tyre pa qenë të detyruar të flasin. Ajo përgjegjësi vazhdon të jetë akoma, por që pas kaq vitesh mund të them se po vijmë te normaliteti, kështu që mendoj së paku me gjuhën turke jam rehat në set”, tha ai.

Por pavarësisht roleve dhe sukseseve në projektet ndërkombëtare, Xhelilajt vazhdon t’i flejë zemra te roli nga ku e nisi gjithë rrugëtimin e tij.

Përkundër viteve që kalojnë, aktori vazhdon të mbahet mend si ‘Shqiptari’ i filmit “Der Albaner”.

“Mendoj se ‘Shqiptari’ ka qenë për mua katapultimi drejt edhe jashtë Shqipërisë dhe vazhdon për mua të jetë një vend i veçantë në zemër dhe karrierë”, përfundoi Nik Xhelilaj për Telegrafin.

Përndryshe, “Rise of Empires: Ottoman” është një dokumentar historik turk, i cili flet për Perandorinë Osmane dhe Mehmed Pushtuesin dhe tregon historinë e Rënies së Kostandinopojës. Aktori shqiptar Nik Xhelilaj iu bashku kastit në sezonin e dytë të serialit dokumentar. 

Xhelilaj u bë së fundmi pjesë e komedie “Policë për kokë”, e cila javën e kaluar u dha premierë në Prishtinë.

Ai në një intervistë për Telegrafin rrëfeu emocionet e të qenit pjesë e këtij kasti, që pas shumë kohe e kanë rikthyer në një projekt kinematografik vendor.

“Ne dje kishim premierën në Tiranë dhe më ka shymur me të thënë drejtën sepse ka ritëm shumë të mirë filmi me atë që u pata merak. Ka reagime shumë të mira në publik. Ka një kimi shumë të mirë mes dy personazheve kryesore, kështu që deri më tani gjithçka është shumë pozitive”, tha Xhelilaj.

Ndonëse është i njohur për rolet e tij dramatike dhe kryesisht të errëta, Niku e sprovoi veten kësaj here edhe në komedi.

Ai tha për Telegrafin se dëshira për të provuar diçka ndryshe e ngacmoi për t’i thënë ‘Po’ ftesës së regjisorit Aldo Bardhi, për t’u bërë pjesë e këtij filmi.

“Skenari ishte faktori i parë kryesor, pastaj Aldo regjisori, i cili ishte bindës në mënyrën se si e paraqiti edhe rolin – por me sa po kuptoj unë këto vitet e fundit ka nisur një tendencë të paktën në prodhimet dhe produksionet shqiptare që të ketë një lloj argëtimi edhe për kinemanë dhe dëshira për të provuar diçka ndryshe”, tha Nik Xhelilaj.