Olta Daku dhe dy aktorë nga Kosova i bashkohen kastit të filmit “Në kuadër të dashurisë”

Olta Daku dhe dy aktorë nga Kosova i bashkohen kastit të filmit “Në kuadër të dashurisë”

June 23, 2023 0

Luan Jaha është një tjetër emër mjaft i njohur i kinematografisë dhe teatrit që do të luajë në filmin “Në kuadër të dashurisë”.

Produksioni është duke mbledhur emrat më në zë të skenës dhe mesa shohim, kasti është i mahnitshëm… Luan Jaha jo vetëm që do të jetë pjesë e filmit, por ka dhe një rol mjaft të rëndësishëm… Jua shtuam mjaftueshëm kuriozitetin?

Luan Jaha lindi në Prishtinë më 11 Tetor 1967. Ai është një aktor i njohur shqiptar nga Kosova. Studimet e larta i ka vazhduar në Fakultetin e Arteve, dega e Artit Dramatik, në vitin 1994 në Prishtinë. Ka luajtur në rreth 50 shfaqje teatri, i cili dallohet me shfaqjen “Duke pritur Godonë” të Samuel Bekett, me të cilën mori çmimin special të jurisë në Sarajevë më 1997. Ndër shfaqet e tij më të njohura janë: “Karrigat”, “Armiku i popullit”, “Hamleti”, “Fluturimi në folën e qyqës”,”Tregtari I Venediktit”,”I Ligu Për Mend”.

Aktori mori pjesë në shumë filma, TV drama dhe seriale, ku mund të veçohet “Kosova 9.11.”, që u shpall filmi më i mirë në festivalin ndërkombëtar “Tirana 2003”. “Kukumi”, ku ai ka luajtuar, është cilësuar si filmi më i mirë shqiptar në vitin 2006. Madje edhe “Koha e kometës”, ku ai lunate gjithashtu u cilësua si më i miri në vitin 2008. Disa filma të tjerë ku ai bën pjesë janë: “Der Albaner” (2009), “Falja e Gjakut” (2009), “Dhoma 304” (2010), “Tri dritare dhe një varje” (2013), “Sworn Virgine” (2014). Momenti kyç i karrierës së tij ishte pjesëmarrja në serialin “Familja moderne”, ku interpreton Dajën Skënder.

Por surprizat nuk kanë fund në këtë film. Një tjetër emër mjaft i njohur bëhet pjesë e kastit të “Në kuadër të dashurisë”. Bëhet fjalë për aktorin e talentuar e mjaft të njohur Ylber Bardhi. Se çfarë roli do ketë ai, e si do të jetë lidhja e tij me protagonistët, do të na duhet të presim dhe pak për ta zbuluar…

Ylber Bardhi është një aktor shumë i suksesshëm nga Gjakova, i cili ka lindur më 18 nëntor të vitit 1984. Kur ishte në shkollën e mesme, ai ka marrë pjesë rastësisht në një shfaqje kulturore dhe aty u përzgjodh si aktori më i mirë i gjimnazeve në Gjakovë. Ajo shfaqje mori pjesë edhe në Teatrin Amator në Ferizaj, ku edhe aty u shpall si aktori më i mirë.

Pas kësaj eksperience, ai luajti edhe dy role të vogla në teatrin e vendlindjes së tij. Këto suksese nuk do të kishin vazhduar, nëse aktori do kishte zgjedhur opsionin e tij të parë për tu bërë stomatolog. Por duke qenë se e pa veten mjaft mirë në fushën e aktrimit, vendosi t’i vazhdonte studimet e larta në këtë fushë. Në vitin e dytë akademik, ai kishte fatin të ishte pjesë e një shfaqjeje në Teatrin Kombëtar, një sukses mjaft i madh për një student. Talenti i tij bëri që ai të spikatej nga shumë figura të njohura të botës së aktrimit, të cilët më pas i dhanë edhe role të tjera në teatër.

Pas shfaqjeve teatrale, ai filloi dalëngadalë të bëhej pjesë e projekteve televizive. Suksesi i tij nisi me serialin “Familja Moderne” ku përmes humorit dhe satirës paraqiti gjendjen e Kosovës pas luftës dhe pati një kohëzgjatje nga viti 2001 deri në Maj të 2011-ës. Një serial tjetër mjaft i rëndësishëm për karrierën e tij ka qenë edhe “O sa mirë”, ku me rolin e tij si Zuka, kamarier në kafenenë e shkollës, ka bërë mijëra shqiptarë anembanë të qeshin me batutat e tij.

Përveç seriale televizive, Ylber Bardhi ka marrë pjesë edhe në filma të ndryshëm si: “Zonjusha” (2016), “Fatalist” (2016), “Diamanti” (2018), “Schauerfilm” (2019), “Illyricvm” (2022), “Adnan Kafazi” (2023). Një çmim i rëndësishëm me të cilin ai është vlerësuar ka qenë ai çmimi “Aktori më i mirë” me shfaqjen “Holly Shit” në Festivalin e Teatrit “Othello” në Gostivar në vitin 2018. Ylberin mund ta shihni edhe në shfaqje teatrale pasi ai është pjesëtar i ansamblit të trupës rezidente të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Ndërkohë, edhe Olta Daku i shtohet kastit të “Në kuadër të dashurisë”!

Bëhet fjalë për aktoren Olta Daku. Pjesë e skenave humoristike dhe jo vetëm, Olta i shtohet kastit të “Në kuadër të dashurisë” për të na falur shumë pozitivitet dhe energji të madhe.

Olta Daku, lindur në Tiranë më 1 dhjetor 1976, është një aktore mjaft e njohur në kinematografinë dhe skenat e teatrit shqiptar. Rrugëtimi i saj në këtë fushë nisi pas viteve ’90 dhe ishte pjesë e brezit të ri të aktorëve qe do të hapnin rrugën e një gjenerate të artë në historinë e teatrit dhe ekranit.

Që e vogël ajo u bë pjesë e botës së artit, por fillimisht studion për muzikë e më pas ndryshon rrjedhën për t’u diplomuar në vitin 2001 si aktore në degën e dramës në Akademinë e Arteve. Që nga diplomimi e deri në 2003 ajo angazhohet në disa role në Teatrin Kombëtar e më pas emërohet aktore vendi ku punon edhe sot. Disa pjesë të njohura teatrale që ka luajtur janë: “S’ka të ngopur”, “Macja në çatinë e nxehtë”, “Kapitulli i Dytë”, “Karnavalet e Korçës”.

Talenti, karakteri unik, puna e palodhur dhe individualteti i saj artistik bëri që Olta Daku të spikatej edhe në disa role jashtë Teatrit Kombëtar ku mund të përmendim “Vita Brevis” ose “Tri Shaka”. Ajo është vlerësuar edhe me çmime mjaft të rëndësishme, ku kryesori është ai si “Aktorja më e mirë” në Festivalin e Komedisë në Korçë në vitin 2020 me komedinë “Shirli Valentina”.

Por përveç skenës, aktorja ka eksperimentuar edhe në industrinë kinematografike ku mund ta themi me mjaft bindje që kanë qenë momente kyçe në karrierën e saj profesionale. Roli i saj si Jana në serialin komik “Oh sa mirë” i vitit 2013 do të mbajë peshën kryesore të famës së saj për publikun e gjerë për shkak të të qeshurave pafund që ka shkaktuar.

Vlejmë të përmendim edhe serialin e vitit 2020 “Familja Kuqezi” dhe më të fundit ku ajo luan “Nina”. Përveç serialeve, ajo ka marrë pjesë edhe në disa filma të tjerë shqiptarë si: “Femrat” (2013), “Portret i Papërfunduar” (2019), “Bolero në vilën e pleqve (2022).

revista.one/