Polici shtyu drejt greminës gazetaren dhe operatorin në Dajt, reagon Çuçi: Është larguar nga detyra dhe do ndiqet penalisht, zero tolerancë për sjellje të tilla

Polici shtyu drejt greminës gazetaren dhe operatorin në Dajt, reagon Çuçi: Është larguar nga detyra dhe do ndiqet penalisht, zero tolerancë për sjellje të tilla

November 7, 2021 0

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar për incidentin e ndodhur ditën e djeshme, ku një efektiv i policisë ka shtyrë dhe gati sa nuk hodhi në humnerë gazetaren Anila Hoxha, e cila po raportonte nga vendngjarja në Qafë Mollë në Dajt për gjetjen e trupit të pajetë të biznesmenit Ruzhdi Hoxha.

Çuçi me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se efektivi është larguar nga detyra dhe se do të ndiqet penalisht.

Ndër të tjera ministri shkruan se toleranca për shfaqe të shëmtuara si ajo e një dite më parë do të jetë zero, teksa u bën thirrje efektivëve që mos ia lejojnë vetes të bien në këtë nivel, që i përjashton ata automatikisht nga radhët e uniformave blu.

“Lidhur me incidentin e ndodhur një ditë më parë me gazetaren Anila Hoxha, dua t’ju informoj se efektivi i policisë është larguar nga detyra. Drejtori i Policisë së Shtetit dhe drejtori i SHÇBA kanë komunikuar menjëherë me gazetaren, si dhe në bazë të kallëzimit të saj efektivi do të ndiqet penalisht. I kërkoj ndjesë dhe e falënderoj znj. Hoxha, si dhe iu bëj thirrje gjithë qytetarëve që ndeshen me efektivë të tillë policie të mos heshtin, por t’i denoncojnë. I garantoj se toleranca për këto shfaqje të shëmtuara si ajo e një dite më parë do të jetë zero. Gjej gjithashtu rastin t’u bëj thirrje efektivëve të Policisë së Shtetit të mos ia lejojnë vetes të bien në këtë nivel, që i përjashton ata automatikisht nga radhët e uniformave blu” shkruan Çuçi në postimin e tij. revista.one/