Protesta tek selia e PD-së me parullën: Basha boll!
April 30, 2021Një pjesë e demokratëve vijojnë të kërkojnë largimin e Lulzim Basha nga drejtimi i partisë. Ata ia faturojnë atij përgjegjësinë për humbjen në zgjedhjet e 25 prillit.
Anëtari i Kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli, ka kërkuar edhe njëherë sot dorëheqjen e kreut të PD-së, Lulzim Bashës duke rikonfirmuar zyrtarisht edhe kandidaturën e tij. Në një deklaratë për mediat, Kadilli tha se Basha ka shteruar dhe nuk jep më opsion për të ardhmen.
“Është problemi i Bashës nëse shqiptarët zgjedhin një thes mielli para tij”, tha Kadilli. Ai shtoi se kryedemokratin e ka mbështetur me vetëmohim, por që tashmë ai duhet të tërhiqet, pasi nuk i çoi demokratët drejt fitoreso.
Kadilli hodhi akuza se, edhe pse anëtar i Kryesisë së PD, nuk u lejua që konferencën e tij ta mbante në ambientet e selisë, duke thënë se “barrikada” para portës së PD është e tepërt.
Ndërkohë, ish-kryetari i PD-së në Kukës, Ibsen Elezi, i cili tashmë prej ditësh po proteston para selisë blu, tha se ato do të mbledhin disa firma për të kërkuar shkarkimin e Bashës. Elezi tha se ato duhet të hapin një proces zgjedhor brenda PD-së në mënyrë që të zgjidhjet kreu i ri. /revista.one/