PS forcë e parë në 9 qarqe, PD në 3; KQZ shpall PS-në fituese në Njësinë 10 në Tiranë

PS forcë e parë në 9 qarqe, PD në 3; KQZ shpall PS-në fituese në Njësinë 10 në Tiranë

April 26, 2021 0

PS forcë e parë në 9 qarqe, PD në 3; KQZ shpall PS-në fituese në Njësinë 10 në Tiranë. Deri më tani janë numëruar mbi 31% e votave, ku PS është në avantazh, PD në rritje e ndërsa LSI në rënie drastike! Socialistët deri më tani janë forcë e parë në 9 qarqe, duke i marrë demokratëve edhe Dibrën, e ndërsa PD-ja ruan bastionet e saj në Shkodër, Kukës e Lezhë.

Procesi i numërimit në Durrës nisi me 6 orë vonesë kjo për shkak të mosmarrëveshjeve mes numëruesve, ku ato të PD janë tërhequr. Pusteci është bashkia e parë që ka nxjerrë rezultatin final për partitë dhe PS është forcë e parë. 

Njësia 10

Ndërkohë u publikua rezultati nga njësia 10 në ku u aplikua votimi dhe numërimi elektronik, ku PS ka dalë fituese me 6007 vota, ndjekur nga PD me 4550 dhe më pas LSI me 628, ndërsa PSD ka marrë 208.

Elbasan

Kur janë numëruar 36% e votave në Elbasan, PS duket të jetë forcë e parë me një diferencë ë madhe në krahasim me partitë e tjera duke marrë 55% të votave. PD ka marrë 36.85% të votave, ndërsa LSI del me rezultat shumë të dobët, duke marrë vetëm 5.03% të votave.

27% e votave janë numëruar në Shkodër deri më tani, ku rezulton se PD është forcë e parë e ndjekur nga PS dhe PSD  e Tom Doshit. Përkatësisht, PD ka marrë 42.89% të votave, ndërsa PS 29.41%. Forca e tretë është PSD me 14.67%, ndërsa LSI ka marrë deri më tani vetëm 9.76%.

Tom Doshi jep dorëheqjen

Surpriza është dorëheqja e Tom Doshit. Ai ka zgjedhur që të japë dorëheqjen nga mandati i deputet, duke thënë se kjo dorëheqje është e parevokueshme, pa dhënë asnjë argument, në një kohë kur partia e tij, PSD është forcë e tretë deri më tani në Shkodër.

“Unë  i nënshkruari Tom Doshi me vullnetin tim të lirë dhe të plotë deklaroj se në datën 26 prill jap dorëheqjen e parevokueshme nga mandati im si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Deklaroj se sot në datën 26 prill jap gjithashtu dorëheqjen nga mandati im si deputet i fituar pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021 dhe jap dorëheqjen nga lista shumëemërore e kandidatëve për deputet të PSD për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 prill. I kërkoj KQZ të bëjë zëvendësimin tim si deputet sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor. Sa më sipër është në përputhje me vullnetin tim të lirë dhe të plotë dhe nuk kam sot në datën 26 prill dhe asnjë pretendim me vendimin e KQZ sipas të cilit mandati im i kalon kandidatit tjetër sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor. Kjo dorëheqje është e parevokueshme”, shkruan Tom Doshi.

Korçë

Me një diferencë prej 7% të votave, ndahen PS nga PD në qarkun e Korçës. Kur janë numëruar mbi 30% e votave, në këtë qark kryesojnë socialistët  me 48.01 % të votave, e ndërsa PD me 41.01 %. Pritshmëritë e LSI në këtë qark kanë qenë të mëdha, por deri më tani ajo ka marrë 7.75 % të votave. Pusteci është veshur ngjyrë rozë, ku PS-ja ka rritur që të marrë 868, e ndërsa PD 473. Në fund renditet LSI me 168 vota. Procesi i numërimit në këtë Bashki ka përfunduar në të 7 qendrat e votimi, duke qenë Bashkia e parë që nxjerr rezultatin përfundimtar.  

Kukës

PD merr 2-fishin e votave në Kukës dhe kjo nuk është aspak surprizë. Ajo ka arritur që të marrë 62.68 % të votave krahasuar me 35.61 % të PS. Sa i përket LSI, nuk ka marrë dot as 1 % të votave.

Fier

Në Fier, PS ruaj bastionin e saj. Deri më tani kur janë numëruar, 32% të votave  PS ka marrë 52.59 %. PD ka një rritje të lehtë me 38.20 % të votave, e ndërsa LSI ka marrë 6.51 %. Partitë e tjera nuk kanë arritur as në 1% të votave.

Lezhë

PD kryeson në qarkun e Lezhës, me 45.88 % të votave, ndërsa ka një rezultat të ngushtë me PS, e cila vjen pas saj me 41.96 %.  LSI deri tani ka marrë vetëm 7.96% të votave. Partitë e tjera të vogla nuk marrin mjaftueshëm vota sa për të marrë një mandat deputeti.

Vlorë

Në qarkun e Vlorës janë numëruar deri më tani 19% e votave, ku vijon të kryesojë PS, ndërsa shihet një rritje e PD-së. Sipas të dhënave të KQZ, rezulton se deri më tani PS ka marrë 57.45% të votave, ndërsa PD ka marrë 32.63%. LSI ka marrë deri më tani vetëm 6.43% të votave. Ndërsa ndër partitë e tjera ajo që ka marrë më shumë është Bindja Demokratike që ka marrë 1.20% të votave. 

Himarë

Përfundon procesi i numërimit në Bashkinë Himarë. PS fiton shumicën me 3447 vota në total ose 58.67 %, e ndjekur nga PD me  1854 vota ose 31.56 %. LSI ka marrë 5.80 % të votave ose 341 vota ndërsa në këtë bashki janë shpallur të pavlefshme 124 fletë votimit.

Dibër

Partia Socialiste vijon të kryesojë në qarkun e Dibrës, ku deri më tani janë numëruar 29% e votave. Sipas të dhënave të KQZ rezulton se PS ka marrë deri më tani 46.81%, e ndjekur nga PD me 41.63%. Krahasuar me rezultatin e dy orëve më parë, kur ishin numëruar 20% e votave, rezulton që PD ka shënuar një rënie të lehtë nga 43.12% në 41.63%.

LSI ka marrë deri më tani 7.79% të votave, ndërsa nga ana tjetër kandidati i pavarur Elton Debreshi ka marrë 1.08%.

Berat

Në qarkun e Beratit, PS është ndjeshëm në avantazh duke u shkëputur nga PD dhe LSI. Ajo ka arritur që të marrë 54.30% të votave, e ndërsa PD-AN 30.92%. LSI deri tani ka marrë 12.47% të votave. Partitë e vogla kanë marrë vota të pamjaftueshme për të siguruar një mandat.

Tiranë

Në qarkun e Tiranës deri tani janë numëruar 14.8 % të votave, ku PS vijon të jetë forcë kryesuese e ndjekur nga koalicioni PD-AN.  PS  ka marrë 51.51 % ose e thënë në vota 32467, e ndërsa PD-AN ka marrë 22764  vota ose 36.12 %. Kandidati i pavarur nga Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të marrë 447 vota.

LSI ka marrë në qarkun e Tiranës 6.11 % ose 3850 vota. Edhe  partia e Tom Doshit, PSD ka arritur që të marrë 2.83 % ose 1783 vota.

Gjirokatër

Vijon të ecë me ritme të shpejta numërimi i votave në qarkun e Gjirokastrës. Deri më tani rezulton se janë numëruar mbi 42% e votave. Kryeson bindshëm PS që ka arritur të marrë 55.23% të votave, gati dyfishi i votave që ka marrë PD 28.40%. LSI duket larg dy forcave kryesore. Ajo ka arritur të marrë deri më tani 13.53% të votave.

Procesi i numërimit ka ecur me ritme të shpejta, ku ka arritur deri në 19% të votave të numëruara dhe PS rezulton forcë e parë, e ndjekur nga PD e më pas LSI.

Durrës

Në Durrës, procesi i numërimit nisi rreth orës 03:00, pas pati një mosmarrëveshje mes numëruesve, por më pas u rikuperua kohën e humbur. Një kuti votimi në Durrës ka dalë e parregullt. /revista.one/