(Foto) Puthja e parë skenike në 1958, Tinka Kurti rrëfen episodin me Roza Anagnostin

(Foto) Puthja e parë skenike në 1958, Tinka Kurti rrëfen episodin me Roza Anagnostin

January 27, 2022 0

Kur kthehej mbrëmjeve, ajo ulej, ai dëgjonte dhe shkruante. Vetë s’do të kishte mundur, e rrëmbyer nga pasioni dhe emocionet. Por ai e dinte: dikur ato shënime do të hynin në punë. Vetëm pak ditë më parë, mes miqsh e të ftuarish u promovua libri “Tinka Kurti-Ditari i një bashkëshorti” i autores Anila Mema, mbështetur mbi ditarin e mbajtur nga Palokë Kurti, bashkëshorti i aktores së madhe Tinka Kurti.

Të pranishëm në ceremoni ishin edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, dhe kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, që mbështetën botimin e këtij libri. Margariti e konsideroi Kurtin “një shembull për gra e vajza”, duke i dhuruar në shenjë mirënjohjeje një vepër arti në shkëmb, që simbolizon qëndrimin e aktores karshi paragjykimeve dhe dramave që i shkaktoi jeta. Ndërsa Veliaj, duke cituar vetë librin e Kurtit, i tha se “ajo është një grua e nderueme” dje edhe sot. Ndonëse mbajtur prej tij, ato janë mendimet e vetë aktores, rrëfyer mbrëmjeve, pas shfaqjeve.

Ashtu siç thotë edhe autorja e librit, “Tinka Kurti, te ditari i mbajtur nga bashkëshorti Palokë Kurti, shpreh gjithë kënaqësitë dhe pakënaqësitë, sukseset dhe dështimet, qëllimet a përfitimet që mori nga arti, herë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe herë të nënkuptuar. Janë jo pak, por 40 vite ditar, sa gjithë jeta artistike që ka, e cila edhe sot për të nuk ka mbaruar. Teksa i afrohet datëlindjes së 90-të, prapë e ka një dëshirë, të luante rolin e një zonje dhe udhëtimin e saj artistik nga Tirana drejt Italisë, në një skenar filmi të shkruar nga Natasha Lako. Një rol, tek i cili sheh të përngjasuar jetën e saj artistike.

PUTHJA E “NDALUAR” ME ROZA ANAGNOSTIN

Ajo tregon për role, për shfaqje, ato të suksesshmet dhe ato të dobëtat, për mendimin që udhëheqja e kohës kishte për të. Ajo pa droje ka pranuar të botojë mendimet që kishte asokohe për Enver Hoxhën dhe rolin që ka luajtur Mehmet Shehu në karrierën e saj.

Ajo po ashtu tregon episode, debate, ngjarje që kanë thyer tabu në kohën e tyre, ashtu siç ishte edhe një puthje në buzë mes saj dhe Roza Anagnostit, gjatë shfaqjes “Banuesët e shkallës nr. 6”, në vitin 1958. Ishte hera e parë që ndodhte një puthje mes femrash. Ndonëse shfaqja ishte e dobët dhe nuk u fol më për të, ajo puthje mbeti në histori. Në librin e saj, rrëfimin e shkurtër për shfaqjen “Banueset e shkallës nr. 6”, me regji të Lec Shllakut, ku interpretonte rolin e Suzana Sahatçiut, ajo e shoqëron edhe me një foto ku shfaqen aktorët Lec Bushati, Pistol Soja dhe Tinka Kurti duke u puthur me Roza Anagnostin.

“Banuesit e shkallës nr. 6” nga Kin Dushi
Regjia: Lec Shllaku
Shfaqet për herë të parë në datën 6. VII. 1958.
Ka interpretuar rolin e Suzana Sahatçiut.
Mendime të Tinkës për rolin:

Në rolin e personazhit negativ, regjisori kishte caktue për të luejt këtë figurë aktorin komik Bik Pepa, që ishte në trupën e estradës. Gjatë shfaqjes, unë, Suzana, që i thosha disa herë burrit tem se ty nuk të intereson kërkush, veçse shefi (të cilin e lonte B.P.) që ai asht’ njeri i poshtër. Dhe komedia (për ta bind për këtë poshtërsinë e tij), në momente të caktueme, kur i zoti i shtëpisë shifej nga dritarja prej zonës, tue hyj në shtëpi, personazhi krijonte skena provokuese karshi negativit, që i shoqi të vinte e ta zinte në flagrancë. Thashë të gjitha këto, për me thanë këtë të fundit. Ndodhte nga ndonjëherë që Lec Bushati në rolin e burrit tatalosh Moisi Sahatçiut, hynte me vonesë në skenë. Bik Pepa do të më kishte kap përnjimend, sikur unë të mos i bërtitsha nën za inspekorit të skenës, tue e vështrue drejt kabinës së tij:

– O Çesk, mbylle syparin se më kapi Biku. Komedi e dobët, kot fare.

 “Koprraci” nga Molieri
Regjia: Lec Shllaku
Shfaqet për herë të parë në datën 20.II.1952.
Ka interpretuar rolin e Marjanës
Mendime të Tinkës për rolin:

Ndamja e roleve të “Kopracit” ishte një ngjarje me randësi për teatrin tonë. Unë hala në atë kohë isha gjysmë profesioniste dhe as që mendojsha se do të më besonte regjisori ndonjë rol, aq më tepër se në këtë periudhë vihej paralel drama “6 Dashnorët”. Lec Shllaku, regjisori, u justifikue me faktin se; “Nuk të dhashë rol te ‘Kopraci’, se më duheshe për heroinën te drama tjetër”, shfaqje e cila nuk pati fare sukses. Ndërsa komedia e Molierit, tronditi skenën, me lojën e mrekullueshme të artistit Zef Jubani, aq sa kur e pa shoku Enver shfaqjen, në një takim me punonjësit e fermentimit tha: “Si mundet të ketë në Shkodër perçe, Shkodra, vendi, ku lot kaq bukur Zef Jubani – Harpagonin?!”. Unë pata fatin të los me këtë partner, tue dublue rolin e Marianës, por në kondita shumë të vështira. Trupa e teatrit do të merrej për një turne Durrës – Tiranë dhe mue më urdhëruen të shkojsha në këtë turne, megjithëse kisha djalin 4 muajsh. Nuk ishte këtu e keqja, pse ato veprojshin jashtë ligjit, por do të lozsha një rol shërbyeseje pa asnjë fjalë e për rolin e Marjanës, do të merreshin aktoren e Durrësit, Vera Vreshtanji, e cila e kishte punue këtë rol, kur ishte në teatrin tonë. Kjo ishte shumë fyese për mue, të merrej aktorja nga Durrësi, tue qenë unë. Insistova që rolin e Marianës do ta los unë në turne. Na ndanin vetëm 24 orë nga nisja dhe mendoni se në çfarë gjendje isha unë, të përgatitsha fëmijën 4 muajsh, veten apo rolin. Kështu që nuk fjeta gjithë natën. E dhashë premierën në qytetin e Durrësit, por nuk kam dëshirë ta kujtoj atë shfaqje, pasi edhe pranimi i regjisorit për ta luejt unë rolin e Marianës ishte tendencioz për mue. Ai nuk kishte fare besim tek unë. Sipas tij, unë isha një partnere e dobët për një aktor aq të madh si Zef Jubani. Por qe pikërisht ky rol, shumë ma vonë, që më hapi rrugën e artit. Shoku Mehmet, kur erdhi me pa shfaqjen, e çmoi shumë punën e bukur të Teatrit, punën e Zef Jubanit, e në mënyrë të veçantë edhe mue. Ai kishte pyet njerëzit që e shoqërojshin:

– Kush asht’ kjo aktore? –

Asht’ nji aktore e re, e kemi aktivizue ta provojmë, – u kishin përgjigj ato. Ndërkohë, Mehmet Shehu ishte shpreh tekstualisht kështu:  -Jepini dorën! Kjo do të jetë artistja e ardhshme e Shqipërisë. Fjala e tij mori dhen’ dhe po aq shpejt ndërroi edhe opinioni për mue. Sa e çmueshme ishte për mue kjo fjalë.

Sikur të mos e shifte këtë shfaqje shoku Mehmet dhe mue në këtë rol (se kjo ka randësi), unë ndoshta as sot nuk do të isha aktore. Unë këtu fola shkurt, por nesër do të shkruej për jetën time. Pikërisht në këtë periudhë do ndalesha shumë, sepse me këtë çast u hap një rrugë e re në karrierën time. Një orë para se të fliteshe kjo gja, unë isha një aktore e zakonshme. Por dhjetë minuta mbasi foli ai, unë isha një aktore e madhe. Edhe ishin pikërisht ata persona, që një orë përpara ishin shpreh “se Tinka asht’ një aktore diletante që po e provojmë”. Sa shumë due me thanë, por tash për tash po e la me kaq.

 “Gjashtë dashnorët” nga Aleksei Arbuzov
Regjia: Prenk Lëkunda, Lec Shllaku
Shfaqet për herë të parë në datën 20.III.1952.
Ka interpretuar rolin e Lena Bogaçeva,
brigadiere në një S.M.T.
Mendime të Tinkës për rolin:

Një dramë e dobët, e vueme keq, e luajtun keq. Vetë drama nuk kishte gja të mirë. Unë veç ruej një kujtim të hidhur gjatë kësaj periudhe që u aktivizova në teatër. Nuk kisha marrë asnjëherë fletëlavdërimi, kurse për këtë rol, mbas një shfaqje të dobët që dhamë një natë, Drejtoria e Këshillit Artistik na kritikoi të gjithë pjesëmarrësve për shfaqjen e dobët dhe këtë na e dhanë edhe me shkrim. Këtë dokument e ruej hala. Këtë kritikë e kishin shkrue në disa fletushka të shtypura në shtypshkronjë që ishin “Fletë-Lavdërimi”. Kësaj fjale i kishin ra vijë sipër, e poshtë kishin shkruar fjalët që na thoshin. Ky pra ishte “Fletë Çlavdërimi”, që mora nga Teatri Profesionist.

 “Në perëndim” nga Vadim Sobko
Regjia: Lec Shllaku
Shfaqet për herë të parë në datën 25. VII.1952
Ka interpretuar rolin e Tana Jegorovën,
togere e aviacionit
Mendime të Tinkës për rolin:

Sipas mendimit t’em ishin mësue keq regjisorët. Nëse ka drama vajzë të re e pilivesë, atë duhej ta loste Tinka. Unë kisha dëshirë me i provue forcat e mia edhe në rol serioz. Iu luta regjisorit t’më jepte diçka të tillë dhe ai u diftue zemërgjanë dhe më dha kryerolin. E kjo gja ndodhi në një periudhë kur lozshim tri shfaqje përnjëherë, ose ma mirë me thanë, për një ditë. Në mëngjes luaja zonjën Bush, (prostitutë te shfaqja “Jeta fillon përsëri”), në drekë Elena Bogaçeva (traktoriste te shfaqja “6 Dashnorët”) dhe në mbramje Tania Jegorova (heroinë e B.R.S.S).

Regjisori me të drejtë më akuzonte se nuk isha as 5% komuniste. Ai thonte se Tania asht’ e fortë, e kur flet çan malet, kurse unë ngulsha këmbë se në një mjedis të prishun moralisht siç ishte familja e ktyne anglezve, po t’interpretohej ashtu (me arrogancë), do të vërtetoheshin thashethanat se populli rus është malok.

Unë me përgjegjësinë t’eme isha tue vue në pikëpyetje ekzistencën t’ime në teatër dhe jetën si aktore, sepse të tilla ishin edhe rrethanat e mia. Interpretova provën gjenerale para regjisorit sovjetik, Andrei Ivanoviç Kriçka, dhe më pas qëndrova e vetmueme nga bankat në fund të sallonit të vjetër të teatrit, ku pritsha nga çasti në çast të më thojshin: “Ik del jashtë, se ky asht diskreditim i një heroine sovjetike”. Por ashtu siç besojsha në thellësinë e shpirtit t’em, ashtu edhe më doli. Andrei Ivanoviç Kriçka ndër të tjera foli për mue dhe tha: “Do të kisha dëshirue që në Luftën e Dytë Botërore të kishte ekzistue një bashkatdhetare e jeme, ashtu siç luejti Tinka, pasi bota e jashtme na mbante kafshë”. Më bani edhe një vërejtje ku më tha: “Je 250 % komuniste”.

 “Familja e Allanit” nga Hysein Myftarov
Regjia: Lec Shllaku
Shfaqet për herë të parë në datën 29.XI.1953.
Ka interpretuar rolin e Zinajda
Vasiljevna Sollonjeva, mjeke.
Mendime të Tinkës për rolin:

Edhe jeta e artistit mendoj unë ka shumë gjana të përbashkëta me atë të sportistit, sepse një sportist po s’u ushtrue tre muej, i ngrijnë muskujt dhe e ka ma të vështirë me dalë në fushë. Kështu edhe artisti. Po u largue për tre muej nga skena, siç u largova unë pasi linda djalin, më ishin ngrirë edhe mua ndjenjat, kështu që roli i Zinës qe nji nxemje për me shkri ndjenjat për rolin e ardhshëm. Me pak fjalë, figura e Zinës doli e dobët nga unë dhe nuk ia vlen të flas për të. Padrejtësisht na dërguen me këtë shfaqje në Festivalin e Parë të Teatrit, të cilën kishim 9 muej që nuk e luajshim. Këtë dramë e kishte anullue vetë zëvendësministri Frano Jakova si spektakël, pa pasur qëllim të drejtë politik. Tashti, papritmas na dërgojnë në festival. Shfaqja doli shumë e dobët dhe ma dobët se të gjithë, isha unë. Keq më erdhi. Në këtë festival morëm pjesë edhe me shfaqjen “Toka e jonë”, ku unë interpretoja rolin e Files. Filja bani aq shumë bujë, ku unë mora çmimin e parë si “Aktorja ma e mirë” e Festivalit. Kurse për shfaqjen “Familja e Allanit” e për Zinën, gjithçka u kalue në heshtje. Pata edhe një tronditje tjetër në jetën time gjatë banketit të fundit që u organizue në hotel “Dajti”. Meqë u diplomova në Festival, isha e vetmja aktore e ftuar në tavolinën qendrore, ku merrshin pjesë udhëheqës të Partisë si: Liri Belishova, Ramiz Alia, Manush Myftiu, zëvendësministra, regjisorja Zina Andri, shkrimtari Z. Gjata etj. Kur shoku Ramiz ngriti gotën për të më urue diplomën time dhe për të më uruar suksese në të ardhmen, regjisorja Zina Andri e shfaqjes “Andon Pano”, u ngrit e tha:

– Jo shoku Ramiz, Tinka nuk don hiç role sovjetike, luejti shumë bukur Filen, edhe pse luejti keq Zinën.

Askush nuk i dha përgjigje, ndërsa unë vetëm me trup isha aty. Mendja ku nuk më fluturonte. Dojsha të zhdukesha, por nuk ishte momenti. Qëndrova deri në fund e tronditur, nuk mbaj mend deri sa vazhdoi ai banket. Mbaj mend vetëm këtë: kur u ndamë, pashë sytë e ngrohtë të shokut Ramiz, të cilët më sollën pak në vete.