Rey Manaj regjistrohet në ekipin e parë të Barcelonës së bashku me Depay e Garcia

Rey Manaj regjistrohet në ekipin e parë të Barcelonës së bashku me Depay e Garcia

August 14, 2021 0

Barcelona ka konfirmuar se Memphis Depay, Eric Garcia dhe Rey Manaj, janë regjistruar në La Liga dhe do të jenë në dispozicion për ndeshjen kundër Real Sociedadit që zhvillohet të dielën mbrëma.

Para kësaj jave, asnjë nga transferimet e reja nuk ishte regjistruar, por tashmë treshja e përmendur i është bashkuar Emerson Royal (regjistrimi i të cilit u konfirmua të enjten), ndërsa i lënduari Sergio Aguero mbetet akoma i paregjistruar.

Klubi kanë njoftuar se regjistrimi i tre futbollistëve ka ardhur falë Gerard Pique, i cili është pajtuar ta zvogëlojë pagën në masë të madhe, megjithëse përqindja e saktë nuk është bërë e ditur.

Klubi është duke i vazhduar bisedimet me Sergio Busquets dhe Jordi Alba për zvogëlimin e rrogave të tyre, meqë situata është bërë urgjente për katalunasit.

Pos zvogëlimit të pagës së Pique, të hyrat e Barcelonës janë rritur për 37.5 milionë euro nga largimet e Jean-Clair Tobido, Junior Firpo, Francisco Trincao, Carles Alena dhe Konrad de la Fuente.

Njëherësh, në listën e pagave nuk e kanë më rrogën e majme të Lionel Messit, i cili vendosi të mos rinovonte me Barcën dhe kaloi si transfer i lirë te Paris Saint-Germaini.

Barcelona do të zbresë të dielën në orën 20:00 në fushën e Camp Nou kundër Sociedad dhe trajneri Koeman është i detyruar të grumbullojë edhe Rey Manajn. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare me siguri do të jetë në stol, por nuk është aspak çudi që ai të ketë minuta, ashtu siç ka ndodhur në ndeshjet miqësore.

Do të ishte historike, një shqiptar që luan ndeshje zyrtare me një gjigant si Barcelona. 

revista.one/