Shqipëria merr dy xhudistet e medaljeve të arta të Kosovës
September 18, 2021Qeveria e re e Shqipërisë ka publikuar vendimet e para që janë marrë sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Ndër to bien në sy, krijimi i Agjencisë për Media dhe Informim, hapja e doganës së Shishtavecit dhe Krushevës, punësimi i kampioneve olimpike të Kosovës në Ministrinë e Mbrojtjes.
Vendimi
PUNËSIMIN NË STRUKTURAT E MINISTRISË SË MBROJTJES TË ZNJ. DISTRIA KRASNIQI DHE ZNJ. NORA GJAKOVA, FITUESE TË MEDALJEVE TË ARTA NË LOJËRAT OLIMPIKE VERORE “TOKIO 2020”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 7 e 27, të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9210, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Fillimin e procedurave për punësimin në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes të znj. Distria Krasniqi dhe znj. Nora Gjakova, fituese të medaljeve të arta në Lojërat Olimpike Verore “Tokio 2020”, për performancën e shkëlqyer në arenën ndërkombëtare sportive, për përfaqësimin dinjitoz, nëpërmjet një arritjeje mbarëkombëtare suksesi dhe talenti të sprovuar.
2. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
revista.one/