“Squid Game” bën histori në Emmy Awards, seriali i parë jo-anglisht që nominohet në 14 kategori
July 13, 2022Seriali i famshëm i Netflixit u nominua për çmimin Emmy në kategorinë kryesore të dramës. Si rrjedhojë, “Squid Game” bëhet seriali i parë në gjuhën jo-angleze që nominohet në Emmy Awards, shkruan LA Times.
Seriali me skena brutale i krijuar nga regjisori koreano-jugor Hwang Dong-hyuk, sjell historinë e një grupi njerëzish që janë në vështirësi të mëdha financiare ndërsa konkurrojnë në një seri lojërash vdekjeprurëse për fëmijë për një çmim në para. Pas premierës së tij globale në shtator, zhurma ndihmoi që drama koreane të bëhej seriali më i suksesshëm i Netflixit ndonjëherë, sipas matjeve sekrete të vetë transmetuesit.
Katër anëtarë të kastit kryesor të “Squid Games” u nominuan në kategori individuale të aktrimit për interpretimet e tyre. Lee Jung-jae, i cili portretizoi babanë zemërmirë, por të zhytur në borxhe, Seong Gi-hun, u nominua për çmimin ‘Aktori më i mirë në serial dramatik’.
Jung Ho-yeon u nominua për çmimin ‘Aktorja më e mirë në rol dytësor në një serial dramatik’ për portretizimin e Kang Sae-byeok.
Park Hae-soo dhe Oh Yeong-su ishin të dy ndër aktorët dytësorë në një serial dramatik të nominuar. Park portretizoi ish-shokun e klasës së Seong-ut, Cho Sang-woo, ndërsa Oh luante Oh Il-nam, një koleg i moshuar që Seong miqësohet gjatë konkursit. Lee You-mi u nominua për çmimin ‘Aktorja e ftuar në një serial dramatik’ për performancën e saj si Ji-yeong.
Anëtarët e kastit të “Squid Game” janë aktorët e parë vendas koreanë që janë nominuar në kategoritë e tyre përkatëse. Krijuesi i serialit Hwang është gjithashtu krijuesi i parë vendas korean që fitoi nominime për Emmy për skenarin dhe regjinë e dramës. Në përgjithësi, “Squid Game” shënoi 14 nominime për Emmy Awards, përfshirë për dizajnin e prodhimit, kinematografinë, efektet speciale, montazhin, temën e titullit kryesor dhe efektet speciale.
Fakti që një dramë koreano-jugore është e pranueshme për Emmy Awards, është në vetvete një shenjë e ndryshimeve në industri. Çmimet Emmy nderojnë arritjet në televizionin amerikan, por përhapja e transmetimit i ka bërë programet në gjuhën jo-angleze më të aksesueshme për audiencën amerikane se kurrë.
Historikisht, producentët dhe rrjetet televizive amerikane e kanë fokusuar zhvillimin e tyre origjinal të programimit në audiencën amerikane anglishtfolëse. Por aspiratat globale të shërbimeve të transmetimit me bazë në ShBA i kanë mjegulluar këto linja. Nevoja për të tërhequr tregjet anembanë botës ka bërë që kompanitë të zgjerohen në prodhime ndërkombëtare në gjuhë të huaja, gjë që ka kontribuar gjithashtu që biblioteka të jetë në dispozicion të abonentëve të tyre amerikanë.
Për shkak se “Squid Game” është një prodhim ndërkombëtar i krijuar për Netflix me bazë në ShBA me qëllim që të shfaqet në ShBA (si pjesë e publikimit të tij global), ai kualifikohet.
Edicioni i 74-të i Emmy Awards do të mbahet më12 shtator.
revista.one/