Stalini, Lenini e një Gaz69 në ballë të vilës së Mehmet Shehut

Stalini, Lenini e një Gaz69 në ballë të vilës së Mehmet Shehut

August 24, 2022 0

Disa ushtarë parakalojnë në rrugicën që të çon në ish-vilën qeveritare, ku ka banuar ish kryeministri Mehmet Shehu. Paraditen e kësaj të marte (ora 10.00) është bosh, ndërsa në oborr ka dy vizitorë të rinj. Statujat monumentale të Leninit e Stalinit, prej 3 dekadash të shkulura nga sheshet ku ishin vendosur, tanimë qëndrojnë përballë. I pari krahë thyer, fshehur mes pemëve, i dyti me autoritarizmin e gdhendur të pacënuar…

“Këtë mëngjes e gjetëm veten të shokuar, tek shohim se në qendër të Tiranës, në krahë të Kryesisë së Kuvendit, në vilën ku priten delegacione qeveritare të ndryshme, janë ekspozuar statuja të Stalinit dhe Leninit. Ne vlerësojmë se nuk kemi të bëjmë me asnjë instalacion të mundshëm, siç është pretenduar nga Agjencia për Media dhe Informim e Kryeministrisë. Ato nuk janë rimodeluar apo rikompozuar për të dhënë një mesazh të caktuar. I vetmi mesazh që këto statuja mbartin kryesisht ajo e Stalinit, është që ka qëndruar për 17 vite atje ku ndodhet sot monumenti i Skënderbeut, në qendër të Tiranës, për të kujtuar regjimet totalitare dhe për t’i kujtuar  çdo shqiptari që tentonte të ishte i lirë se në qendër ishte mbreti i diktatorëve që në fakt do të dënonte me vdekje çdo shqiptar që do të tentonte të ishte i lirë apo me orientim perëndimor”, thotë aktivisti i shoqërisë civile Migen Qiraxhi.

Zhvendosur nga Galeria Kombëtare e Arteve në rikonstruksion ku ruheshin prej së paku 10 vitesh (më herët kanë kaluar një kalvar zhvendosjesh në ofiçina, fonderi e të tjerë), statujat ndahen nga dera e hapur e vilës, që përdoret për takime qeveritare e një makinë gaz 69, tipike e llojit që prodhonte ish Bashkimi Sovjetik. Ndryshe nga veprat e tjera të Fondit të Galerisë që ruhen në Muzeun Historik Kombëtar, këto statuja të cilat publiku është mësuar t’i shikojë pas shpinës së Galerisë tanimë dalin në ballë të ish-vilës. Galeria Kombëtare, pa një drejtor të emëruar, dhe me Entela Çipën që e udhëheq prej pak ditësh e komanduar, nuk ka ende një përgjigje konkrete rreth këtij ekspozimi, që ndërkohë ka ngjallur edhe kontestime nga ata që vuajtën gjatë regjimit komunist.

revista.one/