Studentja nga Durrësi e dyta në botë për informatikë, miliarderi Bill Gates i bën dhuratën e veçantë

Studentja nga Durrësi e dyta në botë për informatikë, miliarderi Bill Gates i bën dhuratën e veçantë

November 15, 2021 0

Studentja shqiptare Xhulia Kurti është renditur e dyta në botë në konkursin botëror të shpikjeve të reja kompjuterike për vitin 2021. Në fazën finale ishin përzgjedhur 26 pjesëmarrësit më të mirë nga e gjithë bota dhe Xhulia ishte e dyta.

Ajo është studente e vitit të tretë të Shkencave Kompjuterike, në Universitetin e Durrësit.

Xhulia është prezantuar me projektin e saj në këtë konkurs, për lidhjen në internet pa përdorur WIFI. Kjo ide inovative është vlerësuar në “IAA #mobilitython” që u zhvillua në Mynih, Gjermani për studentet e apasionuar ndaj teknologjisë.

“Unë studioj për shkenca kompjuterike në Universitetin e Durrësit. Aplikova online dhe kalova në tre stade derisa arrita te fitorja. Në fakt, ky projekt ishte puna e një viti dhe nuk kisha gjetur ku ta prezantoja, derisa projekti gjeti vend në konkursin në Gjermani.

Të përdorësh internetin pa Wifi nuk është vjedhje, është një mënyrë se si të logohesh. Unë si synim kam tregun global, jo Shqipërinë. Babi është një nga partnerët më mbështetës që unë kam gjatë gjithë jetës sime”, ka thënë Xhulia në emisionin “ABC e Mëngjesit”.

Projekti i saj tregonte sesi mund të dërgosh mesazhe, foto apo dhe të shpërndash materiale pa qenë i lidhur në internet.

Në fund, studentja nga Shqipëria ka marrë një surprizë të bukur nga miliarderi Bill Gates. Themelues i Microsoft-it i ka dhuruar shqiptares librin e tij (ende të pa dalë në treg), me një mesazh përgëzimi për suksesin e merituar.

“Di të them që është një libër interesant dhe ja vlen që të blihet. Është goxha interesant sepse tregon historitë për shkatërrimin e piratërive dhe histori të shkencëtarëve të tjerë”, u shpreh Xhulia.