Tedi Pavrami, koncert në Opera për të paguar bursën e një nxënësi të Liceut

Tedi Pavrami, koncert në Opera për të paguar bursën e një nxënësi të Liceut

December 15, 2023 0

Violinisti shqiptar me famë ndërkombëtare Tedi Papavrami interpretoi mbrëmë në sallën e Teatrit të Operës nën shoqërimin e pianistes Maki Okada, ndërsa sot ishte në një Master Class në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Të ardhurat e koncertit në TKOB, do të përdoren për financimin e bursës për një maturant të Liceut, njoftoi vetë artisti për të pranishmit.  

Kësaj here violinisti Papavrami kthehet në vendlindje për të interpretuar përkahë bashkëshortes së tij, pianistes japoneze, Maki Okada.

Në pjesën e parë të koncertit, Papavrami interpretoi nga Debussy, sonatë për violinë e piano në Sol minor si dhe nga Faure, sonatë për violinë e piano në La mazhor. Në pjesën e dytë partnerët në skenë sollën dy sonata të tjera nga Schumann dhe Brahms.

Shkëlqimi artistik i Tedi Papavramit

Tedi Papavrami u konsiderua një “enfant prodige” që në vegjëli sa i përket aftësive interpretative. Në shtator 1982, qeveria franceze i ofroi një bursë studimi në Francë ku studioi pranë Conservatoire National Superieur de Musique në Paris, nën drejtimin e Pierre Amoyal. Në vitin 1985 fitoi konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia, në 1986 fiton me unanimitet “Çmimin e parë të Konservatorit të Parisit, në vitin 1987 mori diplomën e Konservatorit të Losanës. Ka fituar vazhdimisht çmime si dhe ka interpretuar me orkestra prestigjioze nga vende të ndryshme të botës.

Ndërsa Maki Okada ka përfunduar studimet në Toho Gakuen School of Music në Tokio e më pas në Francë. Lidhjet e krijuara gjatë kësaj kohe me Francën dhe Evropën shënuan zhvillimin e saj muzikor, tashmë në repertorin për violinë dhe piano ku fokusohet me bashkëshortin Tedi Papavrami. Së bashku në vitin 2018, ata morën çmimin “Barocsaal” në Kioto, për koncertin më të mirë të sezonit.

Kultura franceze dhe fëmijëria shqiptare

Tedi Papavrami u larguan nga Shqipëria në moshën 11 vjeç. Megjithatë sipas rrëfimeve të hershme në media të artistit, vitet që ka jetuar në Shqipëri sigurisht janë baza e çdo gjëje sepse aty formohet njeriu psikologjikisht, formohen kujtimet, gjuha.

“Deri në moshën 11 vjeç unë nuk flisja frëngjisht. Tani sigurisht, kur flas frëngjisht më duket sikur kam lindur në Francë, por në atë kohë nuk ka qenë aspak ashtu. Madje, nuk e mendoja fare se do të flisja frëngjisht ndonjë ditë edhe që do të ikja nga Shqipëria. Ishte jashtë konceptit komplet, sidomos në atë kohë kur kufijtë ishin kaq të mbyllura. As nuk më shkonte në mendje. Kështu që ana shqiptare, me folklorin shqiptar, me muzikën shqiptare, me ngrohtësinë, me traditat, me çdo gjë, mbetën tek unë dhe janë sigurisht gjëja e parë që më formon. Pastaj sigurisht mbërritja në Paris, për të bërë një ndërprerje këtu. Parisi më la një përshtypje shumë të hidhur në fakt, sepse ishte një botë kaq ndryshe në atë kohë. Tani duket pak a shumë e njëjta gjë, thjesht në Tiranë sheh pak a shumë të njëjtat vetura, të njëjtat ndërtesa, të njëjtat reklama, të njëjtat dyqane, por në atë kohë ishte një botë tjetër. Kështu që… por nuk mund të them që e ndjeva veten mirë. Madje, kjo më la një kujtim të hidhur ndaj Parisit, mbase shkaktoi dhe këtë largim, tani që kam ikur dhe që jetoj në Gjenevë. Sepse gjithmonë më ka lënë një hije zymtësie, domethënë një gjë e ftohtë. Që domethënë e shtypte fëmijën që unë isha në atë kohë. Nuk mund të dilja në rrugë për të luajtur me shokë, ishte një jetë komplet tjetër, shumë e vrazhdët për mua. Por sigurisht, që kjo kishte anët e mira sepse mësova shumë edhe m’u desh të asimiloja me një shpejtësi shumë të madhe një kulturë krejt tjetër dhe ta asimiloja thellësisht. Domethënë, vërtetë ta ndieja veten si një francez edhe është e vërtetë që sot i ndiejë të dyja në trupin dhe në zemrën. Domethënë është diçka shumë e thellë, letërsia e lexuar frëngjisht, qoftë e përkthyer, por domethënë gjithë bagazhi im intelektual i të rriturit u bë frëngjisht, por esenca mbetet shqiptare”.

revista.one/