‘Tinguj të heshtur’, ekspozohen 32 instrumente të vjetër muzikor shekullorë
December 8, 2022Rreth 32 instrumente të përdorura ndër vite në Shqipëri, e kryesisht në Malësinë e Tiranës, qëndrojn në një cep ekspozues të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit. E kuruar nga Mikaela Minga dhe Vilma Nallbani, ekspozita i rrëfen instrumentet si artefakte. Shumë syresh i takojnë fillim shekullit XX.
“Këta instrumente, prej momentit që kanë hyrë në Arkiv, kanë heshtur, pasi nuk është interpretuar më me ta , ndaj e quajtëm “Tinguj të heshtur”. Shumë prej këtyre instrumenteve përdoret edhe në vende të tjera të Shqipërisë, ndërkohë që harta e përdorimit të tyre është shumë e gjerë. Shkon nga Afrika e Veriut në pjesën e Lindjes së Mesme dhe vjen drejt Ballkanit. Kjo sigurisht, duke kaluar në procese aklimatizimi, siç shpjegojnë edhe studiuesit Ramadan Sokoli dhe Pirro Miso, që janë edhe studiuesit kryesorë të organologjisë në vendin tonë”, thotë etnomuzikologia Mikaela Minga, kuratore e ekspozitës.
Koleksioni i Arkivit është më i gjerë, e përmban mbi 300 vegla muzikore që kanë nisur të mblidhen a blihen prej fundit të viteve ’40.
Instrumentet e ekspozuar lidhen me praktika e rituale tradicionale. Kështu zilja të çon tek “Vallja e Ziles” ndërsa kadumi, është i lidhur me rituale fetare. Të tjera vegla muzikore të Fondit pritet të ekspozohen në vijim.
revista.one/