“Triumfi i jetës”/ Një baladë e fortë për ata që humbën të dashurit nga COVID-19, Endri dhe Stefi tregojnë detajet: Pse u rikthyem në festival

“Triumfi i jetës”/ Një baladë e fortë për ata që humbën të dashurit nga COVID-19, Endri dhe Stefi tregojnë detajet: Pse u rikthyem në festival

December 29, 2021 0

“Triumfi i jetës”, një këngë me një mesazh të fortë është ngjitur mbrëmjen e kaluar në skenën e Festivalit të 60-të nga dy vëllezërit korçarë Endri dhe Stefi Prifti. Me tekst të Zhuljana Jorganxhiut dhe muzikë të Jetmir Barbullushit, kënga i kushtohet atyre që humbën jetën nga pandemia e COVID-19, por është dhe një mesazh force.

“Ishte ditë e shënuar mbrëmë, ishte Shën Stefan. Faleminderit publikut për ato duartrokitje natyrale sepse ne kishim marrë vetëm 10 bileta mbrëmë, fëmijët, e disa të afërm”, thanë njëzëri ata.

Ndërkohë që Endri tregoi se ishte pikërisht mesazhi dhe muzika që i ndryshuan mendjen për t’u rikthyer në festivalin e këngës.

“Kënga jonë këtë radhë i ka të gjithë parametrat e duhur për të shprehur një mesazh. Ne kemi qenë pjesëmarrës dhe në festivale të tjera dhe para 5 vitesh deklaruam që nuk do marrim pjesë, por kur dëgjuam këtë nga Jetmir Barbullushi, thashë ia vlen të kthehemi në festival. Një gjë unike, një baladë e fortë”, tha ai.

“Në këtë pandemi çdo njeri ka humbur një të afërm dhe kush më bukur se kjo këngë mund të përfaqësojë Shqipërinë, që dhe njëherë të tregojmë se Shqipëria ka vepra unike”, u shpreh Stefi duke folur për paraqitjen në Eurovision dhe të këngëve më të suksesshme në të kaluarën.

“Në përgjithësi jemi 1 ose 2 vite pas në koncept ose ide. Shohim çfarë bëjnë të tjerët dhe e bëjmë dhe ne. Kënga jonë me mesazhin që transmeton, me situatën ku ndodhet bota, me komponentët dhe pothuajse të gjithë artistët e mëdhenj që kanë qenë këto ditë në prova është një gjetje. Në qoftë se do ketë një lloj kuraje artistike dhe një lloj vendimi të pavarur, të pandikuar nga të parathënat…Kjo këngë përshkruan atë që ka ndodhur, por edhe mesazhin e triumfit”, tha Stefi.

Ndërsa Endri shprehet i bindur në suksesin e saj. “Mendoj që siç përulem në tekst, ashtu do përulet e gjithë Evropa për këtë këngë”, thotë ai.

Për Stefin muzika është dhe çështje moshash. “Festivali ka një grupim të zhanreve të ndryshme të gjinisë së këngës por të motivacioneve të ndryshme. Kjo është një baladë e fortë dhe mund të ketë breza që nuk e kuptojnë. Kjo këngë kërkon një lloj pjekurie, një lloj moshe, një lloj arsyetimi”, tha ai.

Ndërkohë që Endri shprehet se dhe të rinjtë duhet të dëgjojnë muzikën e vërtetë, si kjo këngë.