U plagos tek lokali i Noizy-t/ Ardit Kërtusha: Ishte vrasës me pagesë, iu bllokua pistoleta…
May 16, 2022Ish-kandidati i Partisë Socialiste Ardit Kërtusha ka deklaruar se atentati ndaj tij nuk ishte një ngjarje banale, por një atentat nga vrasës me pagesë.
Në një prononcim për Abc, Kërtusha u shpreh se ka qenë Policia e Durrësit ajo që është nxituar duke shpërndarë një mjegullnajë, pasi në të vërtetë, ai ka shpëtuar për mrekulli nga një atentat i mirëfilltë. Kërtusha shton se personi që iu afrua dhe e qëlloi kishte dy pistoleta me vete, mbante kapele, maskë anti-Covid e size të errëta.
Ai shton se kur iu bllokua pistoleta e parë, atentatori kishte nxjerrë të dytën dhe e kishte ndjekur.
Ardit Kërtusha: “Nga jashtë lokalit ka ardhur një djalë i ri, i cili mbante në fytyrë një maskë anti-covid, me syze të errëta dhe kapele në kokë. Sapo është afruar tek tavolina ku isha, atentatori ka nxjerrë një pistoletë dhe qëlloi në drejtimin tim. Por, pistoleta u bllokua pasi ka qëlluar vetëm 1 herë, ndërsa atentatori futi dorën në një çantë që mbante me vete, nga ku nxori një pistoletë të dytë. Unë u largova me shpejtësi sapo pash që pistoleta u bllokua. Ai më ndoqi dhe qëlloi edhe dy herë të tjera. Një prej plumbave më kapi në këmbë. Nuk ka qenë sherr banal, tentuan të më bënin atentat nga vrasës me pagesë. Personi qëlloi katër herë por iu bllokua pistoleta. Një prej plumbave më kapi në këmbë. Është e paqartë se përse Policia e Durrësit nxitoi të shpërndante një mjegullnajë për dinamikën e ngjarjes, duke e konsideruar si një “konflikt të çastit”. Ishte atentat nga vrasës me pagesë.”
Kërtusha u qëllua me armë teksa ndodhej këtë mesditë në lokalin e reperit Rigels Rajku, të njohur ndryshe si Noizy. Ai ishte në shoqërinë e disa personave të tjerë në momentin që është qëlluar. Kërtusha është dërguar në spitalin e Traumës ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa nga autori nuk ka ende asnjë gjurmë.
Kërtusha ka qenë kryetar i Forumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë dhe kandidat për kryetar të PS Durrës, ndërsa më vonë është angazhuar me Partinë Demokratike.
Ardit Kërtusha ka akuzuar publikisht zyrtarë e ish-zyrtarë të rëndësishëm socialistë për abuzim me pushtetin.
Për këto arsye, ai ka marrë edhe kërcënime dhe për të cilat ka dorëzuar kallëzime penale në prokurorinë e qytetit.